
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka zhvilluar këtë të martë një takim me drejtuesit e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe të Policisë së Burgjeve. Temë e takimit ishin sfidat dhe problematikat në sektorin e burgjeve. Gjatë takimit, ministri vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e punonjësve të IEVP-ve në të gjithë nivelet si dhe të efektivëve të Policisë së Burgjeve duke përfshirë periudhën e vështirë të pandemisë së Koronavirusit gjatë vitit të fundit.
Ministri Manja kërkoi ndërkohë me këmbëngulje, vigjilencë maksimale për gjithçka që ndodh në institucionet e vuajtjes së dënimit. “Është detyrim që të realizohet puna me integritet dhe bashkëpunim të ndërsjellë, si administrativ dhe policor, si e vetmja rrugë për të përmbushur detyrën”, ka thënë Manja.
Ndërkaq, u theksua se janë marrë të gjitha masat për të pasur infrastrukturën e nevojshme për të dënuarit dhe ofruesit e shërbimeve. “Këto detyra janë një përgjegjësi përpara ligjit dhe së drejtës”, theksoi ministri i Drejtësisë.



