Drejtuesit dhe investitorët e BioNTech dhe Moderna morën fitimin më të madh në industrinë e kujdesit shëndetësor, falë vaksinave dhe trajtimeve anti-Covid.
Vlera neto e Ugur Sahin, CEO 56-vjeçar i BioNTech, u rrit me 155 për qind, një fitim prej 7.3 miliardë dollarësh, duke e bërë atë miliarderin e 14-të më të pasur të industrisë shëndetësore në botë. Gjermani Sahin është në të njëjtin nivel me amerikanin Steven Rales nga Danaher, i cili njihet për zhvillimin e mjeteve diagnostikuese. Sahin dhe Rales u vlerësuan 12 miliardë dollarë secili, sipas klasifikimit të bërë nga Hurun Global Healthcare Rich List.
Investitorëve të BioNTech, Andreas Strungmann dhe Thomas Strungmann, iu rrit pasuria me 15 miliardë dollarë secili, çka e vendos dyshen gjermane në vendin e shtatë në listë, së bashku me Chen Bang të Kinës nga Aier Ophthalmology dhe Massimiliana Landini Aleottie të Italisë dhe familjen e saj, të cilët zotërojnë Menarini, një kompani farmaceutike.
CEO i Moderna Stephane Bancel fitoi 4.9 miliardë dollarë, më shumë se dyfishuar pasurinë e tij në 9.4 miliardë dollarë. I renditur i 23-ti në listë, Bancel u barazua me Li Ge të Kinës dhe Zhao Ning të Wuxi Pharma Tech dhe Frederik Paulsen të Zvicrës nga Ferring Pharmaceuticals.
Vaksinat e prodhuara nga BioNTech dhe Moderna janë padyshim dy më të suksesshmet dhe më të përdorurat në botë kundër pandemisë së koronavirusit që ka dëmtuar rëndë ekonominë globale që kur u përhap dy vjet më parë.



