Haxhiu: Përgjysmimi i barrës financiare për studentët, investim për të ardhmen. Ibraj: Mbështetja nga shteti mungon

Haxhiu: Përgjysmimi i barrës financiare për studentët, investim për të ardhmen. Ibraj: Mbështetja nga shteti mungon

Partia e Lirisë ka prezantuar programin e saj për rininë, ku një nga premtimet kryesore është përgjysmimi i shpenzimeve për studentët. 

 

E ftuar në ‘MCN Informacion’, deputetja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, deklaroi se të rinjtë duhet të jenë në qendër të politikave publike, duke theksuar se vështirësitë ekonomike po i detyrojnë shumë familje të heqin dorë nga arsimi i fëmijëve të tyre.

 

Sipas Haxhiut, programi synon të ulë ndjeshëm barrën financiare për studentët përmes subvencioneve dhe lehtësive konkrete.

 

Partia e Lirisë beson fort se rinia është e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë. Të rinjtë duhet të marrin në dorë fatin e vendit dhe për ta bërë këtë ata duhet të mbështeten financiarisht. Studentët nuk vuajnë vetëm nga kostot e larta të universitetit, por edhe nga rritja e kostos së jetesës. Shumë prej tyre vijnë nga rrethet, përballen me të ardhura të kufizuara, me çmime më të larta të transportit, librave dhe shpenzimeve të tjera të përditshme. Për këtë arsye ne synojmë të ndërhyjmë përmes kartës së studentit, subvencionimit të akomodimit dhe mbështetjes për tekstet universitare, në mënyrë që shqetësimi kryesor i të rinjve të jetë studimi dhe jo mbijetesa financiare.

 

Deputetja shtoi se përgjysmimi i barrës financiare është një domosdoshmëri, duke treguar se ka hasur raste kur familjet janë detyruar të sakrifikojnë shkollimin e njërit fëmijë për të mbështetur tjetrin.

 

Gjërat janë bërë shumë të shtrenjta. Kam takuar prindër që janë detyruar të heqin një fëmijë nga shkolla sepse nuk kanë pasur mundësi ekonomike ta përballojnë. Kjo është për të ardhur keq. Arsimi dhe rinia duhet të jenë prioritet kombëtar, sepse çdo euro e investuar sot tek të rinjtë është investim për të ardhmen e vendit. Përmes lidhjes së studentëve me bizneset gjatë studimeve, ne synojmë që të rinjtë të dalin të përgatitur për tregun e punës, madje edhe të përfitojnë financiarisht gjatë kësaj periudhe. Kjo do të ndihmojë edhe në frenimin e shpopullimit, pasi të rinjtë do ta shohin të ardhmen e tyre këtu dhe jo jashtë vendit.

 

Ndërkohë, kryetarja e Forumit Rinor të Partisë së Lirisë, Anisa Ibraj, tha se paketa për studentët është hartuar në bashkëpunim me të rinj, pedagogë dhe grupe interesi, duke e konsideruar atë të realizueshme dhe të nevojshme.

 

Kjo paketë është produkt i bashkëpunimit me studentë, pedagogë dhe grupet e interesit. Është një program i thjeshtë për t’u zbatuar, sepse fondet ekzistojnë, por mungon vullneti politik. Si të rinj dhe studentë ne e njohim nga afër barrën financiare që përballon çdo student sot. Ndihma e vetme që merr aktualisht është karta e studentit për abonimin, ndërkohë që qiratë në disa raste kanë arritur deri në 600 euro. Kostoja e jetesës, çmimet e ushqimeve, tekstet universitare dhe shpenzimet e tjera e bëjnë shumë të vështirë përballimin e studimeve.

 

Ibraj theksoi se mbështetja financiare për studentët mbetet e pamjaftueshme, ndërsa vuri në dukje edhe rëndësinë e nismave që lidhin arsimin me tregun e punës.

 

Ajo që kërkojmë është mbështetje reale financiare për studentët. Bursa ekziston, por shpesh vonohet dhe nuk mbulon nevojat reale. Nisma ‘Mëso dhe Puno’ synon që të rinjtë, veçanërisht ata në arsimin profesional, të fitojnë eksperiencë dhe të paguhen gjatë praktikës së tyre. Programi ynë mbështetet në pesë shtylla kryesore që synojnë t’u krijojnë të rinjve mundësinë për të jetuar, punuar dhe ndërtuar familjen në Shqipëri. Sot rinia ndihet e diskriminuar dhe e padëgjuar nga qeveria, ndërsa problemet e saj vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy