
Kreu i byrosë politike të lëvizjes islamike palestineze Hamas, Ismail Haniyeh, thuhet se u vra mëngjesin e së mërkurës nga një bombë e sofistikuar me telekomandë e futur ilegalisht në bujtinën në Teheran, Iran, ku ai po qëndronte, dhe jo nga një raketë, siç u raportua fillimisht.
Kështu raporton gazeta “New York Times”, duke cituar shtatë zyrtarë të Lindjes së Mesme, mes të cilëve dy iranianë dhe një zyrtar amerikan.
Sipas burimeve, mjeti shpërthyes është futur fshehurazi në ndërtesën e Gardianëve të Revolucionit Islamik (Pasdaran) në Teheran rreth dy muaj më parë.
Sipas zyrtarëve iranianë që i përkasin Pasdaran, saktësia e të shtënave të kujtonte mitralozin e telekomanduar që një ekip izraelit Mossad përdori për të vrarë shkencëtarin bërthamor iranian Mohsen Fakhrizadeh në vitin 2020.
Vlen të theksohet se deri më tani nuk ka pasur asnjë pranim apo mohim nga ana e Izraelit të përgjegjësisë për vrasjen e Haniyeh.
Pesë zyrtarë të Lindjes së Mesme zbuluan për “New York Times” se zyrtarët e inteligjencës izraelite informuan Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore mbi detajet e operacionit menjëherë pas”.
Haniyeh kishte mbërritur në Teheran të martën më 30 korrik për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri iranian Masoud Pezeshkian.
Burimet e cituara nga “NYT” thonë se bomba që vrau Haniyeh dhe truprojën e tij u shpërthye nga distanca.
Sipas burimeve, dëmet e kufizuara në ndërtesë tregojnë se nuk ka gjasa që të jetë një sulm me raketa. Më parë, kishin rrjedhur zëra për mundësinë që të kishte qenë një sulm raketor i nisur nga jashtë.



