
Është shtyrë sot seanca gjyqësore e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Qëllimi, sipas avokatit mbrojtës të Tahirit, Maksim Haxhia, u bë për shkakun se Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk kishte njoftuar të pandehurit e tjerë. Avokati Haxhia, e quan joserioze një akt të tillë nga ana e organit të prokurorisë, dhe se sipas tij, po vazhdohet me të njejtën mënyrë, do të detyrohet të kërkojë gjykim të shkurtuar: "Akoma nuk kemi vendosur. Por nëse do vazhdojë kështu kalvari i zgjatjeve do të detyrohemi ta bëjmë kërkesën me gjykim të shkurtuar sepse gjithë materiali që ne kemi parë në 57 kapituj, fashikujt e dosjeve në ngarkim të Tahirit dhe të tjerëve, nuk ka asnjë provë që të implikojë Tahirin, që të çojë në ngritjen dhe bazueshmërin e akuzave për të cilat ai është sjellë në për gjykim. Nuk ka letërporosi ishte abuzim dhe keqdashje në çështjen Tahiri nga analistë të qëllimshem dhe të pozicionuar. Nuk ka 8 por 2 letërporosi që nuk kanë të bëjnë me akuzat."
Më 28 shkurt, Prokuroria për krime të Rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e Sajmir Tahirit në gjykatë. Së bashku me Tahirin, pjesë e dosjes janë edhe tre ish-punonjësit e policisë, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode. Dosja përbëhet nga 50 fashikuj dhe brenda këtyre 10 ditëve, gjykata do të marrë në shqyrtim dosjen dhe do të dalë me një vendim.
Ish-ministri është hetuar për dy akuza, trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si dhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror. Më heret avokati i Tahirit kishte kërkuar pushimin e hetimeve me preteksin se ish Ministri i Brendshëm nuk është i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe shpërdorimin e detyrës.
Seanca tjetër gjyqësore për ish ministrin Saimir Tahirin do mbahet më 26 mars.



