
Organizata Botërore e Shëndetësisë beson se shpërthimet e vazhdueshme të lisë së majmunëve në Afrikë mund të ndalen në gjashtë muajt e ardhshëm, duke theksuar se dërgesa e parë e vaksinave të agjencisë pritet të mbërrijë në Kongo brenda disa ditësh.
“Me udhëheqjen e qeverisë dhe bashkëpunimin e ngushtë midis partnerëve, ne besojmë se mund t’i ndalojmë këto shpërthime në gjashtë muajt e ardhshëm”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se megjithëse infeksionet janë rritur me shpejtësi javët e fundit, vdekjet ishin relativisht të pakta.
Në fillim të gushtit, OBSH shpalli shpërthimet e vazhdueshme të mpox në Afrikë një emergjencë globale, duke shpresuar të nxisë një përgjigje të fuqishme globale ndaj sëmundjes në një kontinent ku rastet po përhapeshin kryesisht pa u vënë re për vite të tëra, përfshirë në Nigeri.
Në maj, shkencëtarët zbuluan një version të ri të sëmundjes në Kongo që ata mendojnë se mund të përhapet më lehtë.
Mpox, e njohur gjithashtu si lija e majmunit, lidhet me linë, por zakonisht shkakton simptoma më të lehta, duke përfshirë ethe, dhimbje koke dhe dhimbje trupi.
Në raste të rënda, njerëzit mund të zhvillojnë plagë të dhimbshme dhe flluska në fytyrë, gjoks, duar dhe organe gjenitale.
Mpox zakonisht përhapet nëpërmjet kontaktit të ngushtë lëkurë me lëkurë.



