Kryeministri Rama kërkon një mandat të tretë për t’i dhënë vendit një shpejtësi të re. Në fjalën e tij në Asamblenë e PS-së, Rama tha se PS është e vetmja e mirë në politikën shqiptare.
“Ne na duhet një mandat i tretë jo për vete, por për Shqipërinë, në mënyrë që Shqipëria të kalojë nga ecja në vrapim. Kush mund ta çojë Shqipërinë në një nivel të ri shpejtësie përveç PS? Ne nuk jemi e keqja më e vogël, por e vetmja e mirë që ka në politikën shqiptare. Ne nuk jemi më e mira e mundshme. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që potenciali i kësaj familjeje është për shumë më tepër besnikëri ndaj vlerave, ndaj tyre që meriojnë më shumë edhe në aspektin e përfaqësimit dhe për shumë më tepër besnikëri ndaj bindjes që shqiptarët e votojnë dhe do ta votojnë PS-në”, tha ai.
Rama tha se dy mandatet e deritanishme i janë dashur për të shëruar Shqipërinë që lëngonte.
“Kemi forcuar organizmin e një trupi që lëngonte 7 vjet më parë. Ne sot kur jemi në përfundim të këtij mandati të dytë që siç thashë është një mandat i forcimit të trupit dhe pas një paralize, ne arrijmë të rrisim pagat dhe ndërkohë nuk më rezulton që ndokush rrotull nesh e ka bërë këtë. E meritojnë dhe ne e konsiderojmë të domosdoshme që këtë mundësi që e kemi krijuar me gjithë punën e viteve ta vëmë në dispozicin të mjekëve dhe arsimtarëve. As i prekëm rrogat dhe pesnionet kur morën detyrën, as i bëmë bisht zotimit tonë për të kaluar nga një sistem i padrejtë taksimi në një sistem taksimi ku i ulëm taksat për 95% të shqiptarëve. Nuk mjaftojnë për ta quajtur të mbyllur punën tonë”, tha ai.



