I pyetur mbi rikthimin e ekspertëve amerikanë në SPAK, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se mbështetja e SHBA për drejtësinë e pavarur në Shqipëri është jashtëzakonisht thelbësore, për të patur drejtësi pa ndërhyrje politike.
Duke folur mbi raportet e Ramës me administratën e re Trump, Mediu tha se ky është një nga momentet më të vështira të historisë politike, të marrëdhënieve me SHBA-të, ku kryeministri ka tentuar t’i kthejë në preferenciale raportet me Uashingtonin. Mediu mohoi kategorikisht mundësinë e një koalicioni qeverisës të opozitës me PS-në.
“Unë mendoj që Presidenca Trump një nga problemet më të mëdha që ka pasur, ka qenë mospërdorimi i drejtësisë si armë politike, që e ka vuajtur vet në kurriz dhe mbështetja e SHBA-ve për një drejtësi të pavarur në Shqipëri, është jashtëzakonisht thelbësore, dhe kjo s’duhet parë në avanatazh apo disavantazh i njërës apo tjetrës palë, por si avantazh i institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve shqiptarë për të patur një drejtësi pa ndërhyrje politike.
Një drejtësi që s’vendos të gjithë drejtuesit e opozitës tre katër muaj para zgjedhjeve nën presionin e gjyqësorit, por krijon mundësitë dhe shanset për të qenë e paanshme, për t’i shërbyer Kushtetutës, ligjit, Kodit të Procedurës dhe Kodit Penal”.
I pyetur si i vlerësoni marrëdhëniet e qeverisë Rama me administratën e re amerikane, Mediu tha:
“Që kur ka ardhur Rama në pushtet ka tentuar që këto marrëdhënie t’i kthejë në preferenciale, dhe faktet kanë treguar që këto marrëdhënie janë përdorur për të sulmuar dhe shkatërruar opozitën, se sa për të ndërtuar një raport institucional Shqipëri-SHBA. Mendoj që ky është një nga momentet më të vështira të historisë politike, të marrëdhënieve me SHBA-të, në një kohë që Serbia ka përfituar për të ndërtuar marrëdhënie institucionale”.
I pyetur mbi çështjen McGonigal, sa mund të rëndojë pozitat e Ramës nga pikëpamja ligjore dhe politike, Mediu tha:
“Nuk kam njohuri të thellë rreth dosjes, por fakti që McGonigal është dënuar në SHBA, dhe që pjesë e dosjes kanë qenë lidhjet e tij me qeverinë shqiptare, janë çështje problematike, në zhvillimet diplomatike mes dy vendeve, institucionale të dy qeverive, dhe të fushës së drejtësisë. Përdorimi i këtij autoriteti të FBI-së për të shkatërruar opozitarizmin dhe për të sulmuar lidershipin e opozitës, deri te sanksionimi i Berishës, mendoj ka qenë një nga gjërat më negative në zhvillimin mes dy vendeve”.
I pyetur se cfarë pret të ndodh me SPAK-un pas 11 majit, Mediu tha:
"Unë pres që SPAK-u, gjykata, çdo institucion i drejtësisë, të veprojë bazuar mbi kushtetutën dhe ligjin. S’mund të ketë asnjë institucion ekstra kushtetues. Diskutimi që bëhej edhe në media se ne po jetojmë në Republikën e SPAK-ut, është sa absurd edhe i papranueshëm, ne jemi republikë parlamentare kushtetuese, që funksionon me parimin check and balance, dhe këto s’mund të kthehen në organizime të njëanshme jashtë frymës kushtetuese”.
I pyetur nëse ekziston mundësia për bashkëqeverisje PD-PS pas zgjedhjeve Mediu tha:
“Mendoj që ky do ishte shkatërrimi i opozitës, nuk ka bashkëqeverisje, absolutisht që jo”.



