Kandidati për deputet i PD-së në Farkë, Et’hem Aga, tha se rezultati i deritanishëm i votave të numëruara në këtë njësi ndryshon shumë nga realiteti. Në një prononcim për MCN, Aga tha se e majta i ka blerë votat me shtëpitë e ndërtuara me paratë e tërmetit, apo edhe me para të tjera të dhënë për rregullimet e pësuara nga 26 nëntori i 2019-s. Ai u shpreh se drejtësia duhet të hetojë.
“Në degën 12 dhe 14, është fenomeni i të shitblerjes së votës. I kam thënë mediave franceze dhe do ta them. Këto janë pare tërmeti, e kanë blerë votën me paratë që kanë dhënë për ndërtimin e shtëpive. Është shit-blerje vote. Janë 245 shtëpi që janë ndërtuar në Farkë nuk ka fakte më të mëdha. Plus para të dhëna për rregullime çatish, etj. Drejtësia duhet të investigojë, të kërkojë dhe ndihmën e drejtësisë ndërkombëtare që ta shohin këtë rast. 250 shtëpi për pak muaj është skandal i tmerrshëm. Kam qenë 16 orë në ditë në terren dhe gjithë njerëzit që kam takuar më kanë thënë për vështirësitë e këtyre 8 viteve. Dhe kur shihet rezultati është e tmerrshme, nuk është në realitet me atë që kam parë në terren”, tha Aga.
Numërimi i votave në Frakë vijon, ndërsa PS shpalli dje fitoren në këtë Njësi, KQZ nuk ka publikuar asnjë të dhënë.
Si po ju duket procesi i numërimit?
Aga: Numërimi është diçka e çuditshme duke qenë se vij nga Franca, ku numërimi i votave kërkon 30 min, ndërsa këtu 2 ditë dhe vijon. Po ta krahasosh me vendet e afërta, si Kosova apo Maqedonia e Veriut, është skandal, se kanë kaluar 2 ditë dhe akoma nuk kemi rezultatin. Kërkon të zgjatet dhe tejzgjatet dhe incidenti është rezultat i tendosjes dhe këtij nervozizmi, për tejzgjatjen e kohës.
U tha se dje disa vëzhgues të PD nxitën numëruesit për përplasjen që pati?
Aga: Nuk është e vërtetë, isha këtu. Ishin disa njerëz që nuk njiheshin, u tha se ishin të një shoqate. Vetëm pushteti mund të sjellë njerëz të tillë provokator që provojnë. Nuk është e vërtetë që janë njerëz të PD-së.



