
Përmes një shkrese drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Gazment Bardhi kërkon debate në seancë, në një kohë kur Kuvendi pritet të miratojë sot ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Bardhi kërkon që deputetët të kenë në dispozicion nga 10 minuta për të diskutuar mbi shkarkimet dhe emrat e rinj në qeveri. Ndërkohë ai kërkon po ashtu mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
“Në mbështetje të neneve 48 dhe 110 te Rregullores së Kuvendit, ku përcaktohet se “çdo deputet ka të drejtë të flasë jo më shumë se 10 minuta, me përjashtim kur në Rregullore parashikohet ndryshe”, kërkojmë që shqyrtimi i Dekreteve për shkarkimin dhe emërimin e Ministrave të zhvillohet me diskutimin e secilit deputet që dëshiron të diskutoje.
Në asnjë nen të Rregullores së Kuvendit nuk parashikohet pamundësia për të diskutuar për këtë çështje. Neni 110 i Rregullores së Kuvendit parashikon rregullat e posaçme të miratimit të përbërjes së Këshillit te Ministrave, që është i aplikueshëm edhe në rastin e ndryshimeve në këtë përbërje.
Gjithashtu, nëse nga ana juaj vlerësohet që diskutimi duhet të jetë me kohe të përcaktuar sipas nenit 48, pika 3 e Rregullores së Kuvendit, lutemi të thërrisni mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të diskutuar mbi këtë çështje”, thuhet ne shkresën e Gazment Bardhit.



