
Një avion iranian me 66 persona në bord, i nisur nga Teherani drejt qytetit jugperëndimor Yasuj, është rrëzuar në jug të Isafanit. Lajmin e bën të ditur televizioni iranian Press TV, i cili u referohet burimeve pranë skuadrave lokale të emergjencës.
Sipas të dhënave, avioni ishte zhdukur nga radarët pak pasi ishte ngritur. Për shkak të kushteve të këqija të motit dhe terrenit malor të thyer, helikopterët e skuadrave të ndihmës së shpejtë e kanë pasur të pamundur të afrohen në vendin ku ka rënë avioni.
Mjeti fluturues që përdorej për distanca të shkurtra kishte në bord 60 pasagjerë dhe 6 pjesëtarë të ekuipazhit. Mendohet se asnjë prej tyre nuk ka mbijetuar.



