
Dy ditë më parë, Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për për Teatrin e ri Kombëtar. Sipas vendimit, ky projektligj reflekton opinionet e diskutimet e vazhdueshme me komunitetin e artistëve, arkitektëve dhe opinionet e qytetarëve të lirë gjatë konsultimeve me përfaqësues të Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës. Por ajo që bie në sy në projektligjin e kaluar në qeveri është fakti se ai ka disa ndryshime nga drafti i propozuar në fillim të këtij muaji nga Ministria e Ekonomisë, e cila ka tagrin e administrimit të pronave shtetërore.
Varianti i propozuar nga Ministria e Ekonomisë është publikuar në faqen Konsultimipublik.gov.al më datë 8 qershor 20018, por në projektligjin e miratuar nga qeveria dy ditë më parë, në të njëjtën ditë që kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi arritjen e marrëveshjes me artistët, ka disa ndryshime.
Konkretisht, në nenin 3 të variantit të Ministrisë së Ekonomisë, “Pronat në pronësi shtet dhe statusi i tyre” thuhet se “Në dispozicion të zhvillimit të projektit vihen pasuritë e paluajtshme në pronësi shtet, sipas parashikimeve të këtij ligji, Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme”.
Varianti i miratuar nga qeveria, që i korrespondon nenit 4, shton se “Sipërfaqja që përbën pronën e Teatrit Kombëtar do të jetë po ajo edhe pas përfundimit të ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar”.
Në nenin 4 të draftit të Ministrisë së Ekonomisë, që ka të bëjë me përbërjen e komisionit të negocimit, thuhet se ky komision kryesohet nga kryetari i Bashkisë së Tiranës ose një përfaqësues i autorizuar prej tij, ndërsa në listën e përfaqësuesve qëndron edhe Teatri Kombëtar.
Neni që i korrespondon kësaj pike në variantin e miratuar nga KM lë hapësirë që komisionin ta drejtojë dikush tjetër, me kushtin që ai të ketë autorizimin e kryebashkiakut. Ndërsa në vend të Teatrit Kombëtar si palë përfaqësuese parashikohet që të jenë jo më shumë se dy përfaqësues, të përzgjedhur nga artistët.
Në nenin 6 të projektligjit të kaluar nga KM (që i korrespondon nenit 5 në variantin e propozuar nga Ministria e Ekonomisë) janë shtuar pikat 2,3 dhe 5:
2. Komisioni duhet të verifikojë, paraprakisht, statusin e të gjitha pronave, mbi të cilat do të zhvillohet projekti, përfshirë këtu edhe ato private, si dhe marrëveshjet e arritura nga partneri privat me pronarët privatë, që ka për këto pasuri.
3. Sipas nenit 4, të këtij ligji, institucionet përkatëse duhet të vendosin menjëherë në dispozicion të komisionit të negociimit vlerësimin financiar të pasurive shtetërore, për të cilat ai do të negociojë me partnerin privat, në lidhje me përfitimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
5. Bashkia e Tiranës është përgjegjëse për hartimin dhe administrimin e të gjitha procesverbaleve e dokumenteve të procedurës si dhe të çdo dokumenti tjetër, që lidhet me procedurën e përcaktimit e të negociimit të kushteve të kontratës, përfshirë edhe procesverbalet e mbledhjeve, kur është rasti.
Në bazë të pikave të mësipërme, komisioni verifikon statusin e pronave mbi të cilat zhvillohet projekti, shqyrton vlerësimin financiar të pasurive shtetërore, ndërsa i gjithë dokumentacioni i vënë në dispozicion administrohet nga Bashkia e Tiranës.
Në nenin 8, ku përcaktohet natyra e kontratës për ndërtimin e teatrit të ri, në variantin e miratuar nga KM dy ditë më parë është zgjeruar pika ç, e cila përfshin edhe sipërfaqet ndërtimore që mund të përfitojë Bashkia e Tiranës.
Në pikën që përcakton atë çfarë parashikon kontrata, thuhet se “Pronësinë e aseteve, përcaktimin e sipërfaqeve përkatëse shtet, që do të vendosen në dispozicion të partnerit privat, duke marrë shteti përsipër garantimin e aksesit në zonë dhe/ose servitutet e kalimit sipas projektit (që garantojnë hapësirat funksionale të projektit, rrugët e kalimit dhe aksesin publik), lehtësitë dhe kushtet e tjera për t’u plotësuar nga shteti, në shkëmbim të përfitimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe sipërfaqeve ndërtimore që mund të përfitojë Bashkia e Tiranës”.
Po ashtu, në nenin 8 të variantit të kaluar në qeveri, përcaktohet miratimi i kontratës në Kuvend, gjë që në variantin e Ministrisë së Ekonomisë nuk është parashikuar. Në pikën p të nenit 8 thuhet se një nga elemenët është "Hyrja në fuqi e kontratës, pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë", një detaj që në variantin fillestar mungon.
Neni 9 i draftit të miratuar nga KM i jep të drejtën kryebashkiakut Veliaj të kthejë mbrapsht për rishikim kontratën e nënshkruar nga palët, duke u dhënë këtyre të fundit një afat 30-ditor për rinegocimin e një varianti të ri. Në draftin e Ministrisë së Ekonomisë, kjo pikë nuk figuron.
“Kryetari i Bashkisë Tiranë mund t’i kërkojë komisionit të negociimit të kontratës rishikimin e projektkontratës. Komisioni duhet të rinegociojë dhe t’ia paraqesë për nënshkrim kontratën kryetarit të bashkisë, të shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda afatit kohor prej 30 ditësh, duke filluar nga data e kthimit”, thuhet në pikën 2 të nenit 9 të projektligjit të miratuar nga qeveria.



