Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Aldo Bumçi, thotë se kjo është një kohë e jashtëzakonshme kur shoqëria i ka treguar vetes së vetë por dhe të tjerëve se ekziston koha, guximi dhe kapitali politik për të qenë një demokraci.
Duke folur për MCN Tv, Bumçi deklaroi se nëse nuk ishte arritur që opozita të ishte në këmbë dhe e vërtetë, por në letër, siç tha ai, ishte më parë, atëherë do të ishim një vend i nënshtruar, një model Putinizmi, ku Edi Rama ka kapur gjithçka.
Nuk duhet të harrojmë që nga shtatori në mars, është një histori e jashtëzakonshme, ku opozita arriti të kishte kandidat pa logo, të fitonte Shkodrën dhe të dilte forcë e dytë me atë që duhet të ishte. Ne jemi pjesë e PD, por situata e solli që logo ishte nën kontrollin e zotit Basha dhe logo doli forcë e tretë. Kemi një opozitë të vërtetë dhe në këto ditë, besoj ne po shkojmë drejt një bashkimi të opozitës. Kuvendi i 30 prillit është një moment i rëndësishëm, lëvizja e zotit Berisha tregoi se ka shumicën, ne duhet të ngremë strukturat. Të gjithë duhet ta shikojmë si ringritjen e opozitës shqiptare, në këtë muaj që ka mbetur të gjithë duhet të bëhemi pjesë. Mbas zgjedhjeve të 6 marsit, doli qartë ku është shumica e demokratëve. Duhet të kalojmë këto muaj të dëmshëm dhe të pakuptim, duhet të bëhemi bashkë. Çfarë na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan.
Lidhur me regjistrimin e ndryshimeve statutore të Partisë Demokratike, të miratuara në korrikun e vitit të kaluar nga Lulzim Basha, Bumçi tha se vendimi i gjykatës nuk ka asnjë lajm, pasi nuk ka kontestime për to.
Për ndryshimet e 11 dhjetorit, çështja është e qartë para të gjithë shqiptarëve. Ne mbushëm një stadium, demokratët lexuan emrat e tyre poshtë zyrës së zotit Basha në nëntor dhe dhjetor, për të gjithë ata që kishin dyshime se ku ishte shumica, 6 marsi nuk ka lënë më vend për dyshime se ku është shumica e demokratëve. Është aty ku ishte 11 dhjetori, ku ishte 18 dhjetori, referendumi. Demokratët treguan se janë në anën e lëvizjes për rithemelimin e PD. Këtu nuk ka më hije dyshimi, ka fakte të shumta nga çdo këndvështrim se lëvizja e rithemelimit, është shumicë dërrmuese në PD.
Lidhur me vizitën e ish-deputetit të Parlamentit Europian, Elmar Brok në Tiranë, ai deklaroi se nuk beson që brenda Partisë Demokratike ka nevojë për ndërmjetës.
Sipas tij, vota e lirë, dhe vlerat, janë parimet që duhen respektuar, pasi tha se në një forcë politike jo të gjithë mendojnë në të njëjtën mënyrë.
Lidhur me protestat, Bumçi tha se ka marrë pjesë në to qysh prej ditës së parë dhe se kjo vjen prej gjendjes së vështirë ekonomike të qytetarëve dhe keqqeverisjes.



