
Milos Zeman siguron një tjetër mandat si president i Republikës Çeke. Zeman ka marrë 52% të votave, ndërsa rivali i tij, Jiri Drahos, ka marrë 48%. Në votim morën pjesë 66,5% e çekëve me të drejtë vote.
Me një diferencë të ngushtë, Zeman fiton mandatin e dytë. Ai njihet për qëndrimet e tij kundër emigracionit dhe kundërshton sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Në Republikën Çeke, roli i presidentit është i fortë. Sipas Kushtetutës, ai emëron kryeministrin dhe miraton ose kthen mbrapsht ligjet e kaluara në Parlament.
Zeman ka premtuar se do t’i japë një mundësi të dytë biznesmenit miliarder, Andrej Babis, të formojë qeverinë e re, pasi nuk arriti të merrte votëbesimin e Parlamentit në një votim javën e kaluar. Mandati i parë i 73-vjeçarit Zeman përfundon zyrtarisht në mars.
Këto zgjedhje nxorën në pah një ndarje të shtresave sociale në Republikën Çeke. Përgjithësisht të varfrit dhe njerëzit me arsim të niveleve të ulëta, që jetojnë në zonat rurale, votuan për Zeman, ndërsa rivali i tij gjeti mbështetje në qytetet e mëdha, te shtresa e pasur dhe tek intelektualët.
Drahos nuk ka qenë asnjëherë anëtar i ndonjë partie politike. Ai ka deklaruar se vendosi të kandidonte për t’i dhënë fund klimës populsite dhe frikës në shoqërinë çeke, që ka karakterizuar presidencën e Zemanit.
Ndryshe nga Zemani, 68-vjeçari Drahos është mbështetës i BE-së dhe NATO-s, megjithatë e kundërshton sistemin e kuotave të përcaktuara nga BE-ja për pranimin e emigrantëve. / BBC / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



