Politika shqiptare kujton “11 Shtatorin”: Ditë sulmi kundër demokracisë

Politika shqiptare kujton “11 Shtatorin”: Ditë sulmi kundër demokracisë

Sot bëhen 20 vite që nga sulmet e 11 shtatorit në Amerikë dhe do të mbahet një përkujtimore në nder të 2,977 viktimave që humbën jetën nga ngjarja më e madhe terroriste në historinë e SHBA-ve.

Kjo ngjarje është kujtuar edhe nga politika shqiptare, ku Kryeministri Edi Rama deklaroi se 11 shtatori do të mbetet një ditë kujtese dhe vetëdijeje e botës demokratike për vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Në një postim në “Facebook” në 20-vjetorin e sulmeve terroriste, Rama e cilëson 11 shtatorin një ditë sulmi të urrejtjes barbare kundër qytetërimit.

20 vjet më parë, 11 shtatori hyri në histori si dita e zezë e sulmit të egër të urrejtjes barbare kundër qytetërimit tonë, duke goditur mizorisht simbolin e tij, Amerikën, mu në zemrën e saj. Sot e përgjithmonë, 11 shtatori do të mbetet një ditë kujtese dhe vetëdijeje e botës demokratike për vlerat e paçmueshme të lirisë e të demokracisë.  

Një mesazh për 11 shtatorin ka dhënë edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e cila shprehet se kjo ditë shënon një akt lufte kundër qytetërimit perëndimor, e më shumë se kurrë të gjithë duhet të bëhemi bashkë ‘në emër të paqes e lirisë’.

Si sot, 20 vjet më parë, bota mbajti frymën. Terroristët ndërmorën një akt lufte ndaj Shteteve të Bashkuara. Nën rrënojat e kullave binjake ishin trupat e njerëzve nga mbi gjashtëdhjetë kombe. Një simbolikë e dhimbshme, por e fortë, për bashkimin e gjithë botës kundër një armiku që sulmonte edhe përmes grave e fëmijëve. Miliarda zemra u plagosën, anembanë globit. 11 shtatori na bëri të gjithë të ndjehemi amerikanë. Të gjithë e mbajmë mend mirë ku ndodheshim dhe çfarë bënim në 11 shtator 2001. Ngjarje si kjo ndryshojnë historinë. Por sulmi ndaj simbolit madhështor të lirisë, qendrës së qytetërimit perëndimor, referencës më të rëndësishme të demokracisë dhe investueses më të madhe për paqen, nuk e ndryshoi dot historinë. Amerika nuk u nda, u bashkua. Bota nuk u tremb, u solidarizua. Shqipëria qëndron sot me krenari në krah të Shteteve të Bashkuara, duke u ofruar strehë e mbrojtje afganëve të kërcënuar me jetë nga rregjimi taleban. Unë shpresoj se gjithë bota do të bashkohet në këtë aksion të madh njerëzor.11 shtatori i vitit 2001 nuk do të harrohet. Ai na bën bashkë edhe më shumë në emër të paqes dhe të lirisë.

Ndërsa, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shkruar se kjo ditë që  ka mbetur në memorien e të gjithë globit, duhet të shërbejë për të intensifikuar luftën kundër terrorizmit.

Dy dekada më parë, bota u trondit nga sulmet terroriste të 11 shtatorit jo thjesht ndaj SHBA, por ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës. I bashkohemi përkujtimit të viktimave të terrorizmit, dhe solidaritetit me familjarët e tyre dhe kombin mik amerikan. Ne qëndrojmë në krah të partnerit strategjik të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së vlerave, që na bashkojnë në aleancën dhe miqësinë e veçantë mes dy kombeve tona.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka deklaron se 11 shtatori është një ditë për të nderuar kujtimin e mijëra jetëve të pafajshme e për të qenë më të bashkuar se kurrë kundër terrorizmit e ekstremizmit.

Sulmet e 11 shtatorit 2001 janë një nga ato ngjarje që vështirë do të shlyhen ndonjëherë nga kujtesa. Por mbi të gjitha, 11 shtatori është një ditë për të përkujtuar e nderuar kujtimin e atyre mijëra jetëve të pafajshme të humbura atë ditë e për të qenë më të bashkuar se kurrë edhe në emër të tyre, kundër terrorizmit e ekstremizmit.,

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy