
Kuvendi i Maqedonisë me 81 vota pro, ka miratuar ndryshimin e Kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar të emrit.
Ndryshimet kushtetuese janë miratuar pas negociatave të gjata me opozitën shqiptare lidhur me disa amendamente të saj për pozicionin e shqiptarëve në Kushtetutë.
Deputetët me shumicë votash kanë miratuar amendament 33, 34,35, 36 të propozuar nga qeveria dhe partitë propozuese.
Pas tre ditëve të seancës së caktuar, Kuvendi sot mbylli votimin, duke pranuar edhe propozimet e dy partive shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, që kanë të bëjnë me ndryshime në Preambulë, në pjesën e shtetësisë si dhe përkujdesjen për diasporën.
Përmes këtyre propozimeve janë pranuar disa nga kërkesat e partive shqiptare.
Sipas marrëveshjes, çështja e shtetësisë në dokumentet personale për maqedonasit do të jetë sipas formulimit /maqedonase/ qytetar i Maqedonisë së Veriut/ ndërsa për shqiptarët /e Maqedonisë/ qytetar të Maqedonisë së Veriut.
Opozita kishte kontestuar variantin e parë pasi sipas saj predikonte përkatësinë etnike të shqiptarëve si maqedonas.
Marrëveshja parashikon që me ligj të rregullohet edhe çështja e letërnjoftimet që do të shtohet një grafi e përkatësisë etnike. Për kujdesin ndaj diasporës pranohet amendamenti i lëvizjes Besa që të përmenden të gjitha bashkësitë etnike të pranuara me Kushtetutë.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev vendimin e Kuvendit e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen vendit, pasi me këtë mbyllet kontesti 27 -vjeçar me Greqinë për çështjen e emrit, që ka mbajtur për aq kohë të bllokuar edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Deputetët e opozitës maqedonase VMRO-DPMNI, nuk ishin të pranishëm në seancën e sotme për ndryshimet kushtetuese, të cilët kanë thënë se nuk duan t’i japin legjitimitet ndryshimit të Kushtetutës së vendit.
Sipas ndryshimeve kushtetuese, emri i ri i shtetit do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut.
Me ndryshimin e Kushtetutës, zbatohet edhe marrëveshja për emrin me Greqinë e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar në Prespë.
Por që kjo të jetë e plotë se marrëveshje duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë. Marrëveshja parasheh ndërrimin e emrit të Maqedonisë, në Maqedonia e Veriut, maqedonasit e sotëm të mos kenë lidhshmëri me maqedonasit antik ndërsa gjuha maqedonase të pranohet se i takon grupit të gjuhëve sllave.
Kontesti mes dy vendeve daton që nga viti 1991, kur Maqedonia kishte shpallur pavarësinë, ndërsa Greqia kishte bllokuar integrimin e saj në NATO dhe BE, me arsyetimin se fqinji i saj mund të ketë pretendime ndaj territorit të saj verior që, po ashtu, quhet Maqedoni.
Marrëveshja e arritur mundëson anëtarësimin e saj në NATO me emrin Maqedonia e Veriut si dhe nisjen bisedime për anëtarësim në BE, në qershor të këtij viti.



