
Me rritjen e temperaturave gjatë verës, pickimet nga gjarpërinjtë janë një nga rastet që kanë shkaktuar një rritje të ndjeshme të urgjencave në shërbimin e toksikologjisë në QSUT.
Toksikologu Alert Drishti, i ftuar në programin e mëngjesit "Zgjohu me MCN", shpjegon se në Shqipëri janë identifikuar 17 lloje gjarpërinjsh, nga të cilët tre janë më helmues dhe rrezikojnë jetën e njeriut.
Prej 17 lloje gjarpërinjsh që kemi në Shqipëri, tre prej tyre janë helmues dhe mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore.
Gjarpërinjtë që janë helmues si nepërka mund të gjenden deri në 800 metra lartësi, në zona me klimë të ngrohtë.
Pasi klima po ngrohet, ata shpesh dalin në aktivitetet e natyrës dhe ndodhin takime me njerëzit, veçanërisht me ata që bëjnë hiking, ecje malore apo aktivitete të tjera në pyje.
Ata mund të kafshojnë nëse ndihen të kërcënuar, pavarësisht se sa i afërt je me ta.
Si të dallohet një gjarpër helmues?
Një gjarpër helmues ka dy shenjë karakteristike: dy vrima të vogla nga pickimi, që janë rezultat i dy dhëmbëve helmues.
Këto shenja do të jenë të thella në lëkurë dhe zakonisht janë të dallueshme.
Nëse nuk ka vrima të thella, do të thotë se nuk është helmues, por mund të ketë qenë thjesht një gërvishtje.
Drishti theksoi se një nga gabimet më të zakonshme që bëjnë njerëzit pas një pickimi është lidhja e shpejtë e vendit të pickimit, një metodë që është e gabuar.
Është më e rëndësishme që pas pickimit të drejtohemi menjëherë në një qendër shëndetësore, dhe jo të përpiqemi të mbyllim apo të shtrëngojmë vendin e pickimit.
Mjafton katër orë që të drejtoheni në një qendër shëndetësore për të marrë ndihmën e duhur. Nuk duhet të bëni lëvizje të panevojshme siç është lidhja e një cope të fortë mbi vendin e pickimit, sepse kjo është e gabuar dhe mund të përkeqësojë gjendjen.
Nëse ka mundësi, vendi i pickimit mund të pastrohet me një dezinfektues të lehtë, dhe mund të përdoret një fashë e lehtë për të mbrojtur zonën nga ndotja e jashtme. Por, kjo nuk është një mënyrë për të penguar përhapjen e helmit.
Metodat popullore që janë përdorur deri tani, si lidhja e fortë e vendit të pickimit ose hapja e më shumë zonës së prekur, janë të gabuara dhe mund të çojnë në përkeqësim të gjendjes.
Gjëja e parë që duhet bërë pas një pickimi është të drejtoheni në një spital sa më shpejt të jetë e mundur sepse pas katër ore nis rreziku.
Helmët e gjarpërinjve janë të ndryshëm dhe mund të shkaktojnë simptoma të ndryshme, në varësi të përqendrimit të helmueshëm.
Shumica e shenjave sistemike fillojnë të shfaqen pas katër orëve nga pickimi, dhe mund të përfshijnë dhimbje, ënjtje dhe vështirësi në frymëmarrje.
Për të parandaluar një incident të tillë, Drishti rekomandon që ata që planifikojnë të shkojnë në aktivitete malore, të bëjnë një dozë antiviper të caktuar përpara, e cila mund të ndihmojë në mbrojtjen ndaj helmit të gjarpërinjve.



