Inxhinieri Mark Pepkola, kreu i organizatës Shoqata e Mineraleve të Dobishme Shqiptare, ngre shqetësimin se pas epokës së komunizmit industria e mineraleve kaloi në plan të dytë.
Duke folur për emisionin “MCN Economy” ai deklaroi se që nga viti 1990 e në vijim nuk është zbuluar as një ton rezervë e re minerare, por se janë marrë rezervat që u gjetën të hapura dhe përgatitura.
Sipas tij, duhet mbrojtur me ligj shfrytëzimi racional i rezervave të dobishme.
Mineral i dobishëm është çdo gur që gjendet në sipërfaqen e tokës dhe nëntokë. Nga prodhimi i gjithë mineraleve ekonomia e vendit merrte mbi 40% të të ardhurave. Mineralet kryesore kanë qenë kromi, bakri dhe nafta, pa mohuar hekur nikelin, bitumet dhe minerale të tjera të rralla. Industria e mineraleve e humbi rëndësinë pas epokës së komunizmit, ka kaluar në plan të dytë.
Ajo industri minerare e ndërtuar për 50 vite në vend që të zhvillohej me futjen në kapitalizëm, jo vetëm nuk u ruajt ajo industri, por u zhduk totalisht. Ka ardhur momenti që të ruajmë mineralet që të mos shfrytëzohen barbarisht siç janë shfrytëzuar deri sot.
Duhet mbrojtur me ligj shfrytëzimi racional i rezervave të dobishme. Është pasuri e popullit dhe duhet shfrytëzuar në mënyrë racionale, që të përfitojmë sa më shumë. Në vitin 1997 u shkatërrua një pjesë e mirë i minierave, ishte viti më vdekjeprurës për minierat shqiptare. Kaluam në privatizim në 1998 deri në 2001.
Ndërsa eksportet e mineraleve dhe naftës në 5 vitet e fundit, janë rreth 600 milionë euro vitin e shkuar, rreth 630 milionë euro në vitin 2024, rreth 800 milionë në vitin 2023, ndërkohë që vlerën rekord e kemi në vitin 2022, rreth 1 miliardë euro eksporte, Pepkola shprehet se në sektorin e naftës është e njëjta situatë si në miniera.
Në naftë është e njëjta situatë siç ka ndodhur dhe në miniera, por jo në këto përmasa, sepse naftën nuk mund ta nxjerrë kushdo. Njerëzit nga mosnjohja, diktatura, vend i mbyllur, kujtuan se nuk do punojnë më se do na i bëjë Europa dhe përfundimisht arritëm në këtë pikë.
Ne të kishim ruajtur teknologjisë si në naftë dhe minerale, me pak rinovim, të ardhurat e ekonomisë së vendit do ishin si të asaj kohe. Ajo që merr shteti sot është më e pakët krahasuar me dëmin që iu bëhet rezervave.
Ndërsa aktualisht kemi mbi 500 leje aktive minerare në Shqipëri, Pepkola thotë se lejet janë të shpërndara.
Lejet mund të nisin nga 500 ton, deri në rezervat e mëdha. Numri i lejeve nuk do të thorë se kemi aq shumë mineraleve. Lejet minerare janë në Kukës, Bulqizë dhe Tropojë për kromin, për bakrin ka në Tropojë dhe Spaç.
Që nga 1990-ta e këtej nuk është zbuluar as një ton rezerva të reja, por janë marrë rezervat që u gjetën të hapura dhe përgatitura. Nuk është bërë as punim për zbulim rezervash të reja, nuk është bërë asnjë shpim. Ndërkohë nga Bulqiza janë nxjerrë 13 milionë ton krom.



