TikTok TikTok është një platformë globale për ndarjen e videove të shkurtra, e krijuar nga kompania kineze ByteDance në vitin 2016. Ajo është bërë një nga rrjetet sociale më të njohura në botë, veçanërisht ndër të rinjtë. Platforma u ofron përdoruesve mundësinë të krijojnë, ndajnë dhe shikojnë video të ndryshme me një gjatësi maksimale prej 10 minutash. TikTok ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit konsumojnë dhe krijojnë përmbajtje digjitale.

Ai ka ndihmuar shumë artistë, muzikantë dhe krijues të përmbajtjes të bëhen të njohur lokalisht/globalisht dhe ka nxitur zhvillimin e një ekonomie të re kreative. Përdoruesit mund të regjistrojnë video me muzikë, efekte vizuale dhe filtra. Algoritmi i TikTok krijon një faqe të personalizuar për secilin përdorues të quajtur "For You Page (FYP)", ku shfaqen video bazuar në preferencat dhe sjelljet e tyre në aplikacion.

Përdoruesit mund të komentojnë, pëlqejnë, shpërndajnë ose të krijojnë video reagime. Krijuesit e përmbajtjes mund të fitojnë të ardhura përmes dhuratave virtuale, bashkëpunimeve me marka dhe sponsorizimeve. TikTok është një burim kryesor i trendeve globale dhe sfidave virale, që shpesh përhapen shpejt përmes përdoruesve. Në parim është një rrjet social ku përdoruesit ndërveprojnë midis njëri-tjetrit, por TikTok është kritikuar shpesh për përmbajtje që mund të ndikojë negativisht te të miturit, duke përfshirë sfida të rrezikshme dhe ndikim psikologjik.

Shumë përdorues e shpenzojnë një kohë të konsiderueshme në platformë, që mund të ndikojë negativisht në produktivitetin personal dhe profesional. Në Shqipëri, platforma si TikTok kanë shërbyer shpesh si terren pjellor për promovimin e personazheve të gabuar, të cilët krijojnë përmbajtje duke përdorur fjalor banal, duke kërcënuar njëri-tjetrin dhe duke glorifikuar një stil jete kriminal, që shpesh paraqitet si "jeta e gangsterit." Këto video, apo edhe duetet live midis këtyre individëve, kanë arritur deri te profilet e të miturve, të cilët, të ndikuar nga ekspozimi i vazhdueshëm, fillojnë t'i shohin si idhuj.

Ky fenomen ka nxitur një përpjekje për imitimin e sjelljeve të tyre, duke shkaktuar pasoja shqetësuese për edukimin dhe zhvillimin e tyre moral e social. Shpeshherë, censurimi i materialeve të papërshtatshme, si përmbajtjet pornografike apo ato të dhunshme, dështojnë të kryhen në kohë reale kur personazhe problematikë ndodhen në modalitetin "duet live" në platforma si TikTok. Kjo vonesë në reagim lejon që përmbajtje të dëmshme të jenë të qasshme për një audiencë të gjerë, përfshirë të miturit, duke ndikuar negativisht.

Mbyllja e TikTok për një vit në Shqipëri mund të ketë një ndikim pozitiv te të miturit, duke i distancuar nga përmbajtjet e dëmshme dhe nga influenca negative e personazheve që promovojnë gjuhë të papërshtatshme, kërcënime dhe glorifikimin e stilit të jetës kriminale. Kjo ndërprerje mund të krijojë një hapësirë më të shëndetshme për zhvillimin e tyre social dhe moral, duke i inkurajuar të fokusohen në aktivitete më edukative dhe krijuese. Njëkohësisht, distancimi nga këto modele të dëmshme mund të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi vlerash më të fortë, duke nxitur respektin, ndjeshmërinë dhe zhvillimin e aftësive të dobishme për të ardhmen.