Botimet shqiptare, ende larg librit elektronik (VIDEO)

Botimet shqiptare, ende larg librit elektronik (VIDEO)

Libri elektronik është një prej formateve më të kërkuar prej lexuesve këto vitet e fundit. Shitja e këtyre librave kap shifra shumë milionë dollarëshe dhe duket se pavarësisht trendit herë në rritje e herë në ulje në blerjen e tyre, libri në formatin dixhital është një ndër më të kërkuarit dhe një formë e librit, që ka bërë ndryshim rrënjësor në mënyrën se si njerëzit i qasen botës së leximit.  

Fatkeqësisht, nuk ka të dhëna të sakta mbi e shitjeve të librave në formatin online, por duket se në përgjithësi kjo industri vjen në rritje, edhe pse ka pësuar një rënie të përgjithshme në shitje për disa formate të saj, krahasuar me disa vite më parë. Sipas një raporti të “Author Earnings”, në SHBA, edhe shitjet për librin e shtypur bëhen kryesisht në internet: në vitin 2017, gati 50 përqind e këtyre shitjeve kryheshin përmes Amazon dhe ky treg ka ardhur duke u rritur vazhdimisht, ndërkohë që shitjet në librari dhe dyqane të vegjël librash vijnë duke rënë.

Nëse shohim grafikët do të vërejmë se shumica e blerjeve të librit online janë për librat elektronikë (55%), ndërsa audiolibrat përbëjnë një pjesë të vogël, por me rritje të shpejtë të njësive (6%) dhe librat e printuar llogariten për 39 % të njësive. Ndërsa në terma financiarë, librat në formatin elektronik përbëjnë një shumë më të vogël të totalit të shpenzimeve në dollarë në internet, për shkak edhe të çmimit më të ulët të tyre, ndërsa 63% e shpenzimeve në dollarë në internet është për librin në formatin tradicional. Ajo që bie në sy në një vëzhgim të thjeshtë është se ndërkohë që në SHBA dhe në vende të tjera në botë libri elektronik zë një hapësirë të veçantë në botën e librit, në Shqipëri duket se shtëpitë botuese dhe njerëzit e kësaj fushe nuk e kanë eksploruar thuajse fare këtë hapësirë. Pavarësisht se në treg operojnë disa faqe online për shitjen e librit, asnjëra prej tyre nuk e tregton librin në format dixhital.

Por, ndërkohë që administratorët e platformave online për librin shprehen se njerëzit në Shqipëri nuk kanë interes për të blerë libra në formatin dixhital dhe nuk ka as interes për libra shqiptarë në këtë format jashtë Shqipërisë, diçka e tillë nuk ngjan të jetë plotësisht e vërtetë.

Nga ana e saj, botuesja Rita Petro, e cila njëkohësisht zotëron edhe një faqe online për tregtimin e librave, pohon se interesi për këta lloj librash është i madh, porse ngërçi për botimin e librit elektronik qëndron te frika e botuesve për abuzime të mundshme, që lidhen me mosrespektim të të drejtës së autorit.

Frika për abuzime të mundshme në kuadër të të drejtave të autorit është edhe për Gjergj Erebarën një ndër arsyet e mosfunksionimit të botimit dhe të tregtimit të librit në formatin elektronik. Ai ndërkohë vëren se leximi te të rinjtë mund të nxitet jo përmes librit elektronik, por përmes rrjetit të bibliotekave publike.

Në një kërkim të thjeshtë në internet bie në sy se libri shqiptar është shumë pak i prezantuar në formën elektronike, me disa përjashtime të vogla, siç janë veprat e Enver Hoxhës, të cilat ofrohen në këtë format të përkthyera në anglisht dhe rusisht dhe disa vepra të Ismail Kadaresë në anglisht, këto të fundit, me gjasë, ndër të vetmet që prezantojnë edhe librin shqip në platformën e “Amazon”.

Pavarësisht se libri në formatin elektronik thuajse nuk ekziston në Shqipëri, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për interesin e blerjeve të librave online. Nga vetë platformat online të shitjes së librit konfirmohet se ky interes është më i madh tek shqiptarët, që jetojnë jashtë vendit dhe tek moshat e reja dhe të mesme.

Një problem që ngrenë një pjesë e tregtarëve të librit online është kostoja e blerjes së librit, e cila kohët e fundit është rritur për shkak të pagesave të postës. Këtë problem e ngrenë edhe një pjesë e lexuesve shqiptarë, të cilët porosisin libra jashtë vendit përmes platformave online.

Por, pikërisht një problem i tillë, në fakt mund të zbutet apo të gjejë zgjidhje përmes librit në formën e tij dixhitale. Në të njëjtën kohë diçka e tillë mund të sjellë edhe shtim të lexuesve.

Edhe botuesja Rita Petro vëren se libri elektronik mund të jetë një zgjidhje shumë e mirë për lexuesin dhe tregun shqiptar.

Një provë fillestare vetë në shtëpinë e saj botuese, Petro e ka bërë përmes librit dixhital shkollor.

Megjithatë ajo shprehet optimiste se diçka e tillë do të zbatohet në Shqipëri në një të ardhme të afërt.

Ndërkohë, shqiptarët janë përdorues në masë të rrjeteve sociale dhe të internetit. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në Tremujorin e 3 të 2018 ishte rreth 1.9 milionë që përbën një rritje me 14% me tremujorin e mëparshëm. Edhe numri i pajtimtarëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara (Telefoni/Internet/TV) në fund të 3 mujorit të tretë 2018 arriti në rreth 215 mijë, një rritje kjo me 2.1% në krahasim me T2 2018 dhe rritje me 8.5 % krahasuar me T3 2017.  Por kjo etje për teknologjinë nuk ngjan se është tregues për atë se sa shqiptarët lexojnë. Një një kohë kur libri elektronik është një formë që prej vitesh funksionon në vende të zhvilluara të botës dhe shitjet e librave dixhitalë dhe ekraneve të leximit janë një kërkesë normale për tregun, ofrimi i librit me teknologjinë në Shqipëri duket se mbetet ende detyrë e papërmbushur.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy