Deputetja e PD Sorina Koti deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se Presidenti Begaj duhet ta kishte thirrur me kohë një tryezë të gjerë për të gjetur një zgjidhje mes palëve politike në Shqipëri. Koti i bëri thirrje kreut të shtetit që të mos e dekretojë buxhetin, sepse është miratuar jashtë rregullores së Kuvendit dhe është anti-kushtetues. Duke cituar kërkesat e ndërkombëtarëve për ruajtje të stabilitetit, ajo tha se është e pamundur të ruash stabilitetin pa pasur demokracinë në institucionet shqiptare.
Duke folur mbi buxhetin e vitit 2024, Koti tha:
Buxheti do jetë një varfërim i mëtejshëm i shqiptarëve, sepse do të fusë duart në taksat dhe në tatimet, ku për herë të parë to tatohen profesionet e lira. Në radhë të parë duhet të kishte një rritje te pensioneve, të ndihmës ekonomike të ndihmës sociale, duhet të shkonin për fermerët, bujqësinë, shëndetësinë dhe arsimin. Ne në qershor dorëzuam në Kuvend pr.ligjin për minimumin jetik, ku nëse do të gjehej një konsensus, çdo pagesë që do dilte nga buxheti i shtetit do fillonte me këtë minimum. Kjo ishte hapi i parë që ne si PD bëmë por s’u mor parasysh nga PS. Edhe nëse do të merrnim pjesë në komisione për ta diskutuar me kolegët tanë socialistë, përsëri do rrëzoheshin me forcën e kartonëve, siç janë rrëzuar edhe vjet. Duket që paratë e qytetarëve shqiptarë përsëri do shkojnë për koncesione dhe PPP. Në Shqipëri mungon transparenca, monitorimi, rentabiliteti i tyre. Një nga arsyet pse ne i sulmojmë fort, ka qenë rezultati i prekshëm gjatë këtyre 12 viteve të qeverisë Rama, siç është koncesioni për sterilizimin dhe check up-in. Ju e dini që z.Beqaj është në hetim. Kemi 12 vjet dhe nuk po përfundon asnjë prej rrugëve që lidhin Shqipërinë me rajon. Paratë duhet të shkonin për shkolla dhe shëndetësi, do të duheshin më shumë fonde për pensionistët. Ne e kemi inflacionin 34-35 për qind. Një PS që duhet të kishte politika sociale, ka politika që ndihmojnë bizneset e mëdha, koncesionet, oligarkët!”.
Një sulm ndaj trurit të Shqipërisë dhe intelektualëve e konsideroi ajo taksimin për profesionet e lira.
Kjo është të sulmosh trurin e Shqipërisë, intelektualët. Ata do futen në grupin e bizneseve të mëdha, që do tatohen nga 15-23 për qind. Kjo qeveri s’e do pjesën intelektuale, shtresën e mesme dhe të lartë të shoqërisë. Nëse më parë largoheshin nga Shqipëria njerëz që ishin krah pune, tashmë po largohet shtresa e mesme intelektuale, që s’e gjen më veten, ose për të jetuar në mënyrë normale në Shqipëri”.
Lidhur me aksionin e opozitës, Koti shtoi:
Turi që ka nisur z.Berisha ka qenë një kërkesë që ka ardhur edhe nga Kryesia dhe anëtarët. Duhej të bëhej një foltore e dytë për të mbajtur anëtarët të informuar. Ka qenë kërkesë e tyre që Berisha të takonte anëtarët e partisë sepse vijmë nga një humbje e 14 majit. Por më kryesorja, është që, ajo që ne po bëjmë zhurmë, bllokimin e seancave dhe komisioneve, nuk është vetëm për të mbrojtur interesat e PD-së, por për të mbrojtur demokracinë dhe fjalën e lirë, e cila na është mohuar. Pothuajse ky vit ka qenë katastrofë për mbrojtjen e dinjitetit të deputetit dhe qytetarëve. Është një thirrje edhe për institucionet ndërkombëtare që të shohin realitetin me një sy tjetër. Nga takimet që ne kemi pasur, gjithmonë na është kërkuar që të ruajmë stabilitetin, por nga krahu tjetër, të ruajmë stabilitetin pa pasur demokracinë në institucionet shqiptare është e pamundur”.
E pyetur a duhet të ndërhyjë Presidenti, dhe a mendoni se është momenti që të ketë tryezë të gjerë me palët, të thirrur nga ky i fundit, ajo tha:
Absolutisht që po. Presidenti duhet ta kishte marrë me kohë këtë nismë për të gjetur një zgjidhje. Në momenti kur shkelet Kushtetuta duhet të reagojë institucioni më i lartë që është Presidenti. Presidenti s’ka reaguar deri në këto momente. Si nënkryetare e komisionit i kam kërkuar që të mos dekretojë buxhetin, sepse është miratuar në kushte jo normale, në kundërshtim të plotë me rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Shqipërisë”.



