Ekuadori dorëzon Julian Assange, themeluesi i Wikileaks arrestohet për llogari të SHBA-ve (VIDEO)

Ekuadori dorëzon Julian Assange, themeluesi i Wikileaks arrestohet për llogari të SHBA-ve (VIDEO)

Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, është arrestuar në Londër. Pas shtatë vitesh qëndrim në mjediset e ambasadës së Ekuadorit në kryeqytetin britanik, Assange është parë teksa dilte i shoqëruar nga policia.

Pamjet e publikuara fillimisht nga RT e tregojnë Assange me mjekër të bardhë, të rrethuar nga policët, të cilët e mbajnë nga krahët.

Në dorë, ai mbante një kopje të librit të intelektualit amerikan, Gore Vidal, "Historia e Sigurisë Kombëtare", në të cilin përfshihen kritikat e autorit për aparatin e sigurisë të Shteteve të Bashkuara.

Assange dëgjohet teksa bërtet "... duhet të rezistojë ..." para se fjalët e tij të mbyten nga zhurma përreth, ndërsa ai detyrohet të futet në një automjet të policisë. Assange do të çohet në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster.

Themeluesi i Wikileaks ka jetuar në ambasadë për shtatë vitet e fundit, falë një azili politik të garantuar nga Ekuadori, i cili sot paradite ia hoqi statusin e azilantit, duke i hapur rrugë arrestimit të tij.

Kush është Julian Assange

Programues kompjuterash dhe themelues i Wikileaks, Julian Assange, ka jetuar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër që nga qershori i vitit 2012. Ai kërkoi strehim aty, pasi Suedia lëshoi në vitin 2010 ndaj tij një mandat arresti, bazuar në akuzat e dy grave, ish-vullnetare të Wikileaks, për sulm seksual nga ana e tij. Vetë Assange i ka hedhur poshtë akuzat.

Ai e ka themeluar Wikileaks në vitin 2006. Në 2010, ai fitoi vëmendjen e gjithë botës kur publikoi 90 mijë dokumente të klasifikuara mbi luftën në Afganistan. Botimi i këtyre dokumenteve u konsiderua si rrjedhja më e madhe e dokumenteve sekrete në historinë e SHBA-ve. Këto dokumente u pasuan nga mijëra të tjera që ekspozuan për publikun e gjerë kabllogramet diplomatike të ambasadave amerikane nëpër botë (përshirë edhe atë në Tiranë) me Departamentin e Shtetit. Gjithashtu, 400 mijë dokumente të tjera sekrete të ushtrisë amerikane që pasqyronin luftën në Irak u bënë publike.

Në vitin 2016, gjatë zgjedhjeve preliminare, Wikileaks publikoi 200 mijë emaile të shkëmbyera mes demokratëve, ndërkohë që përvijohej kandidatura e Hillary Clinton për në Shtëpinë e Bardhë.

Wikileaks thotë se misioni i saj është të hedhë dritë mbi krimet e luftës dhe abuzimet, por kritikët e saj, përfshirë zyrtarët amerikanë, thonë se ajo ka vënë sigurinë kombëtare në rrezik dhe ka shkelur privatësinë e njerëzve.

Në maj të vitit 2017, Suedia i rrëzoi akuzat ndaj Assange për sulm seksual. Por megjithatë, ai vijoi të qëndronte në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, deri paraditen e sotme.      

Arrestimi për llogari të SHBA-ve

Scotland Yard ka konfirmuar se Assange është arrestuar për llogari të autoriteteve amerikane, të cilat kanë nisur një kërkesë ekstradimi për të. “Julian Assange, 47, (03.07.71) sot, të enjten më 11 prill, u arrestua për llogari të autoriteteve të Shteteve të Bashkuara, në orën 10: 53, pas mbërritjes së tij në një stacion policor qendror në Londër. Ky është zbatimi i një urdhri ekstradimi sipas nenit 73 të Aktit të Ekstradimit. Ai do të paraqitet në paraburgim në Gjykatën e Magjistraturës së Westminster sa më shpejt të jetë e mundur", citon The Guardian njoftimin e policisë londineze.

Snowden: Moment i errët për lirinë e shtypit

Ish-punonjësi i NSA-së, Edward Snowden ka reaguar pas arrestimit të Julian Assange në Londër, duke thënë se pamjet e  autoriteteve ekuadoriane që e dorëzuan atë te policia e Britanisë janë një "moment i errët për lirinë e shtypit".

Në Tuiter, Snowden shprehet se pamjet e një botuesi të "gazetarisë së vlerësuar me çmime", teksa nxirret zvarrë nga ambasada, do të "përfundojnë në librat e historisë".

"Kritikët e Assange mund të kënaqen, por ky është një moment i errët për lirinë e shtypit", shkroi ai.

Snowden, një IT i punësuar dikur nga CIA, tashmë në arrati, e ka mbështetur gjithnjë themeluesin e Wikileaks. 

Njeriu që i dha statusin e azilantit: Ai që e dorëzoi, tradhtari më i madh

Rafael Correa, i cili ishte president i Ekuadorit, kur Assange-it iu dha azil, e ka dënuar ashpër vendimin e pasardhësit të tij. Ai tha se Lenini Moreno është "tradhtari më i madh në historinë ekuadoriane dhe atë të gjithë Amerikës Latine".

Ndërsa një nga miket dhe mbështetëset që e ka vizituar shpesh, aktorja Pamela Anderson, u shpreh se me arrestimin e tij, Britania tregoi se "është k..va e SHBA-ve dhe në këto momente i duhet diçka që ta zhvendosë vëmendjen nga Brexit-i". 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy