Dëshira për t’u pasuruar shpejt dhe ndryshimet e vazhdueshme socio-ekonomike të viteve të fundit kanë shtuar problemet e shëndetit mendor tek adoleshentët. Psikologia Arjola Manreka tha në studion e MCN ekonomi se prindërit duhet të shtojnë kujdesin në mënyrë që problem të mos agravojë për t’u ndjekur nga psikiatri.
Është ekspozimi ndaj një bote që gjatë gjithë kohës kërkon ekonomi, shtim të ardhurash, rritje të standardit të jetesës. Fakti që përballen me mungesën e ekonomisë, vështirësinë e gjetjes së një vendi pune, bën që ankthi të rritet. Publiku duhet të jetë i informuar se në qendrat e shëndetit mendor, ka psikologë dhe psikiatër që ofrojnë terapi falas. Risi është fakti që në qendrat shëndetësore janë shtuar gati 70 psikologë. Pra nëse mjeku i familjes konstaton diçka, psikologun e ke në qendrën shëndetësore.
Karakteristikë e të rinjve që preken nga këto probleme është humbja e kënaqësisë nga jeta. Kjo i çon drejt problematikave të reja. Ka teknika shumë të thjeshta, për ta shmangur. Që nga reflektimi, ecjet në natyrë apo takimi me miqtë. Duhet të fokusohemi te vetja. Por nëse shohim që emocionalitetin tonë nuk e kontrollojmë dot, atëherë duhet ndihma e një profesionisti.



