Pranga në Bashkinë e Tiranës, gjykata: Të hetohet roli i Erion Veliaj në skandalin e kompanisë “5D”

Pranga në Bashkinë e Tiranës, gjykata: Të hetohet roli i Erion Veliaj në skandalin e kompanisë “5D”

Me arrestimin e tre drejtorevë të Bashkisë së Tiranës, Prokuroria e Posaçme SPAK ka arritur të vërtetojë me prova një skemë pasurimi të zyrtarëve të këtij institucioni, me kontrata publike.

Opozita dhe media të ndryshme prej disa muajsh kishin publikuar të dhëna se si 5 drejtorë të bashkisë kishin krijuar kompaninë “5D Konstruksion” dhe nëpërmjet saj merrnin miliona euro nga tenderat që vetë i shpallnin, vetë vlerësonin dhe vetë merrnin dhe paratë.

Në vendimin e gjykatës që çoi në qeli 3 zyrtarë të rëndësishëm të bashkisë së kryeqytetit dhe ka lënë në detyrim paraqitje 5 të tjerë është zbardhur e gjithë skema.

Hetimi i SPAK nisi kryesisht në prill të vitit të kaluar gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale dhe pjesë e këtij procedimi u bë dhe kallëzimi i kandidatatit të Partisë Demokratike të Rithemelimit Belind Këlliçi, denoncim që prokurorët e regjistruan më 23 maj 2023.

“Admnistrata është larguar shumë nga obligimet ligjire që ka. Kjo do të thotë se ligji shkelet me të dyja këmbët,shkelet me vetëdije, shkelet në formën e një grupi të strukturuar criminal.”- Zef Preçi, Ekspert Ekonomie

“Është nga ato ngjarje që shqetëson opinionin publik. Shohim një rast të pastër se si vidhet, si keqshpërdorohet paraja publike nga vetë ata persona të cilët duhet të ishin mbrojtësit e parasë publike . Pra kemi një rast të pastër skeme korruptive.”- Redi Ramaj, Avokat

Gjithçka nis në vitin 2015 kur drejtimin e bashkisë e merr Erion Veliaj dhe  Redi Molla dhe Mariglen Qato punësohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit, insitucion varësie i bashkisë.

Duket se kjo drejtori u rri shumë e vogël dy zyrtarëve dhe në shkurt të vitit 2016 Redi Molla emërohet Drejtor i Ujësjells Kanalizimeve, Tiranë. Një muaj më pas Mariglen Qato transferohet në këtë institucion duke mbajtur postin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës.

Në janar të 2016-s shohim të regjistrohet kompania “Igor Elektrik”, paraardhësja e asaj që njihet si “5D Konstruksion” dhe zotërues është Eduard Meta.

SPAK ka vërtetuar lidhjen shoqërore mes Metës dhe dy vellezërve Marigeln dhe Alfred Qato. Ky i fundit ka qënë i punësuar tek “Igor Elektrik” nga viti 2016 deri në 2021.

Në 27 janar 2017 Eduard Meta i shet 75% të aksioneve Muhamet Petritit dhe në fund të këtij vitit 2018 , ky i fundit bëhet zotërues i vetëm kompanisë.

Prokuroria thotë në dosje se Muhamet Petriti është vjehrri i Alfred Qatos, vëllait të Mariglen Qatos ,zyrtar i lartë në Ujësjellësin e Tiranës.

“Nëqoftëse shihet me kujdes se si kanë vepruar që në momentin e marrjes së detyrave ,duke krijuar kompani të posaçme,duke përcaktuar persona apo familjarë të afërt në vlerësimet e kompanive që kanë marrë pjesë në tendear, duke u zhvendosur nga njëri sektor në tjettrin por duke ruajtur të njëjtat lidhje dhe mbi të gjitha duke u kujdesur që çdo qindarkë të shkojë në kompanitë e lidhura në të cilat janë aksioner faktik.”- Zef Preç, Ekspert Ekonomie.

Në qershor të vitit 2018 del në skenë emri i Nestor Muhametllarit, i cili emërohet administrator i kompanisë. Ky person është lidhje e e Redi Mollës drejtorit të Ujësjellësit,  pasi për dy vite nga 2013-a deri në 2015-n kanë punuar sëbashku në kompaninë Gener 2.

Në datën 7 janar 2019 drejtorët ndryshojnë emrin e kompanisë dhe e quajnë “VAS Kosntruksion” dhe tashmë ajo kishte pronar dhe admnsitrator të ri. Më 4 mars  2021 Muhamet Petriti vendos të shesë kompaninë për shifrën e 1 milion lekëve tek Nestor Muhametllari në një kohë që firma kishte arritur të një fitim në vitin 2020 mbi 1 milion euro. Është e paqartë se si një biznes që ka fitime të këtij niveli të shitej për vlerën 10 mijë euro!

“Është e kuptushme që paratë kanë shkuar për të pasuruar individët dhe motivimi drejt parasë është sjellje njerëzore deri në kufinjtë e ligjit por përtej kësaj është krim.”- Zef Preçi, Ekspert Ekonomie

Në 7 dhjetor të vitit 2021, emri i fundit që mori kompania ishte  “5D Konstruksion”, siç njihet sot nga të gjithë.

Veprimet duke vendosur në krye të saj krushkun Muhamet Petriti apo kolegun Nestor Muhametllari janë bërë për të fshehur pronarët e vërtetë të kësaj kompanie, të cilët sipas prokurorisë janë Redi Molla dhe Mariglen Qato.

Sink… “Nga provat e administruara, të vlerësuara në raport me njëra-tjetrën, rezultojnë të dhëna që mbështetin faktin se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë personat që kontrollojnë dhe drejtojnë aktivitetin e shoqërisë tregtare, janë personat që marrin vendime për veprimtarinë e shoqërisë tregtare, për punësimin apo largimin e punonjësve dhe pagat e tyre, janë persona që në disa raste kanë arkëtuar shuma monetare në shoqëri për veprimtarinë e saj të përditshme dhe kanë përfitime financiare nga aktiviteti tregtar i shoqërisë. Redi Molla dhe Mariglen Qato janë pronarët ‘de facto’ të shoqërisë ‘5D Konstruksion nga momenti i themelimit të saj dhe në vazhdim.”

DOSJA E SPAK

Gjatë kontrollit të banesës së Nestor Muhametllarit është gjetur një bllok shënimesh ku janë shkruar shumë parash të cilat iu janë kthyer personave me emrin R. dhe M. Në kontrollin që iu bë zyrës së Muhametallarin është gjetur një bllok tjetër ku dalin sërish personat R. dhe M. të cilët kanë marrë para.

“Pra në këto shënime është pasqyruar fakti se personi R. ka marrë shumën prej 11 milion lekë nga fitimi në vitin 2018, ndësra personi M. ka marrë shumën prej 4 milion lekë nga fitimi në vitin 2018.”

DOSJA E SPAK

Në vitin 2020, R. ka marrë një shumë prej 32,5 milion lekësh e cila është shumë e afërt me dividentin që është shpërndarë në 30 qershor të vitit 2020. Për prokurorinë është krijuar bindja se këto dy iniciale lidhen me Redi Mollën dhe Mariglen Qaton.

Një provë shumë e rëndësishme për hetimin e kësaj çështje është telefoni i Nestor Muhametllarit i cili është sekuestruar dhe më pas prej tij janë siguruar të dhëna të vlefshme për hetimin. Aty janë gjetur komunikime nga vitit 2019 deri në vitin 2023, ku një ndër bisedat është ajo e 12 gushtit 2020 me Alfred Qaton, vëllain e Mariglen Qatos.

Alfred: Nestor si je

Nestor: Mirë Fredi si je ti

Alfred: Nesër hajde nga ora 10:00 që vemë te banka, tha Meri

Nestori: Ok

Alfred: Takohemi tek furra Rruga e Elbasanit

Nestori: Ok

Në dosje janë edhe disa biseda të tjera të zhvilluara gjatë viteve 2020 dhe 2021 mes të dyve ku faktohet se Nestor Muhametllari në cilësinë e admnistratorit të kompanisë nuk kishte komunikime me Muhamet Petritin i cili është pronari i tij, por me Alfred Qaton. Ndërsa personi me emrin Meri është Mariglen Qato duke qënë se në aparatin e telefonit ai e ka të regjistruar numrin me emrin Mer Qato. Petriti ka tërhequr në vitin 2020 dhe 2021 ka tërhequr me dhjetra milion lekë në bankë divident të shpërndarë gjatë këtyre viteve nga kompania.

Për të faktuar se pas kompanisë ishin zyratrët e bashkisë, SPAK ka treguar para gjykatës se gjatë 4 viteve, nga 2019- deri në 2023 mes Nestor Muhametallarit dhe Mariglen Qatos ka pasur 1011 thirrje telefonike llogaritur edhe ato të humbura,ndërsa me Redi Mollën 528 thirrje të tilla.

Edhe më punët e kompnisë sa i takon punësimit, shkarkimit apo rregulloreve të ndyrshme vërtetohet se vendimet merreshin nga Redi Molla dhe Mariglen Qato. Një komunikim me vlerë është ai i datës 21 nëntor 2021 ku flitet për një procedurë prokurimi në vendin e quajtur Liqeni i Thatë e cila është fituar nga kompania 5D.

Nestor: Ok Liqeni i Thatë, erdhi përgjigjia

R. Molla: Nonaaaaaaa

“Vijnë për të bërë më tepër para, për të bërë më tepër pushtet se paraja përkthehet në pushtet dhe nesër ky pushtet i akumuluar përkthehet në vota dhe peshë poltike brenda një partie të caktuar.”- Redi Ramaj, Avokat

Në datën 15 nëntor po të vitit 2021 Redi Molla i shkruan Nestorit që kërkon ta takojë.

Redi Molla: Takohemi te Duff, për nja 40 minuta, jam me Merin

Nestor:  Ok , në rregull

Një kompjuter i sekuestruar në kompaninë 5D në përdorim të Jonida Hoxhaj është provë tjetër për prokurorinë që fakton se pas kësaj kompanie është Mariglen Qato. Hoxhaj punon si ekonomiste në këtë kompani dhe ajo i ka dërguar emaile në adresë të Qatos. Janë gjetur edhe dokumeta për pagesat dhe arkëtimet e shoqërisë për vitin 2019 ku  dalin skenë Oratku 1 dhe Ortaku 2. Sipas SPAK shifrat përputhen me ato të bllokut e Nestor Muhametllarit ku Ortaku 1, është personi R, e për rrjedhojë Redi Molla, ndërsa Ortaku 2 Mariglen Qato.

Jonida Hoxhaj tregon se si u punësua në këtë kompani dhe se fillimisht u kontaktua nga personi M. Ndërsa në datën 26 prill 2023 ajo ka zhvilluar një bisede me punonjësn tjetër Manjola Bunguri e cila i dërgon lajmin që Belind Këlliçi denonconte Mariglen Qaton.

Jonida: Manjola hë mi….. uaa ca d... ky.

Manjola: Unë se dija që ishin 5...e dija 3.....po si i ka gjet të gjitha

Jonida: Ky është d... le të bëj gam gam kot

Manjola: Të gjithë të PD kot janë ,s ’kanë një tamam, po më bëri përshtypjë si i dinë.

Jonida: Po ca di ky i....., ai s’figuron në asnjë vend.

Në vendim janë zbardhur edhe biseda të tjera ku Jonida Hoxhaj i tregon një personi tjetër se ka komunikuar me Redi Mollën dhe Mariglen Qaton për mbarëvajtjen e punëve dhe sjellën e punonjësve gjatë orarit të punës. SPAK gjatë hetimeve sekuestroi edhe telefonin e Jona Bejkos punonjëse pranë kompanisë 5D nga ku u përfituan biseda të vlefshme për hetimi.

Jona Bejko ka komunikime me një përson të quajtur Arban dhe është zbardhur një bisedë e datës 7 prill 2021 kur vendi ishtë në fushatë elektorale. Ajo i sqaron atij se i është kërkuar të angazhohet në fushatë edhe pse punon në një kompani private.

Jona Bejko: “Kanë marrë shefin tim nga njësia e Laprakës duke ditur që pronari është i shtetit dhe i kanë thënë thuaj Jonës të angazhohet me zgjedhjet ...ua u habita. Më tha shefi kështu më kanë marrë për ty, ça vendi imgajino. Me u marr më ty është nëse punon në privat. Më bëri buzë shtremët si puna këtij pronarit tim ...pfff. Po drejtor pra , t’u më thënë ky drejtori i bashkisë… Ai është njësia kështu.”

Në datën 6 janar 2023 ajo i dërgon bashkëbiseduesit të saj një fotografi i cili duket si objekt në ndërtim sipas prokurorisë. Këtu përmendet edhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj, i cili sipas saj është aksioner bashkë me pronarët e saj.

Jona Bejko: Këtë hotelin po e bëjme ne, është aksioner pronari jonë, Lali Eri , e këta dhe unë marr vetëm 600 mijë lekë të qelbta. Ai i joni është i dyti mbas lalit”.

Në dosje nuk sqarohet se për cilin hotel bëhet fjalë por Redi Molla rezulton të jetë aksioner me 24 % tek Mediteranien Investment Group. Një investim prej 15 milion eurosh i cili po kryhet në Durrës në një nga zonat më të lakmuara dhe më të shtrenjta në qytetin bregdetar.

“Aty duhet të shqyrtohen jovetëm këta drejtorët me emëra konkret apo kanë fitur familjarët e tyre për të investuar por duhet të investigohen se kush individ tjetër ka sjellë para tjetër për të ndërtuar ato hotele.”- Redi Ramaj, Avokat

Jona Bejko ka biseda të përditshme më Arbanin duke i treguar se çfarë ndodh në vazhdimësi në kompani dhe një e tillë është komunikimi në korrik të vitit 2023- ku i tregon se i është rritur rroga dhe i tregon dhe emrin e një prej pronarëve të kompanisë.

Jona: Më rritën rrogën.

Arban: Si e ka mbiemrin ky Redi?

Arbani: Sa?

Jona: Molla

Jona: 80,000, njësoj me këtë.

Pas sigurimit të këtyre provave prokuroria ka krijuar bindjen se Redi Molla dhe Mariglen Qato janë personat që kontrollojnë dhe drejtojnë kompaninë 5D dhe janë ata që kanë përfittar shuma të mëdha parash nga aktiviteti tregtarë i saj.

Por si i kanë përfituar Redi Molla dhe Mariglen Qato tenderat dhe kush ka bashkëpunuar me ta?  Në ujësjellësin e Tiranës prokurimi i kontratave është urdhëruar nga Redi Molla në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor. Ndërsa Mariglen Qato në disa prej procedurave ka qënë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave duke ndikuar që komapania e tij të fitonte tenderat.

10 muaj pas krijohet “Igor Elektrik” pa asnjë përvojë në punët publike apo punë të tjera të ngjashmë shpallet fituese në një tender me vlerë rreth 50 mijë euro. Kjo kontratë u fitua në bashkëpunim me kompaninë tjetër Kola Invest e cila sipas kontratës do kryejë 78 % të punëve dhe Igor Elektrik 22 %. Pjesë e KVO-së në këtë prokurim është edhe Manjola Bunguri e cila më pas do të punësohet në kompaninë 5D. SPAK në këtë procedurë ka gjetur disa shkelje të cilat do të mjaftonin për ta përjashtuar Igor Elektrik nga tenderi. E para ka të bëjë me kapacitetin ekonomik dhe financiar pasi ligji kërkon që kompanitë që marrin pjesë në garë, duhet të kenë në tre vitet e fundit xhiro jo më të vogël se vlera e fondit limit. Igor Elektrik nuk mund t’i kishte pasi është krijuar në 2016. Gjithashtu asaj i mungojnë edhe kapacitetet teknike ku kërkohet që të ketë kryer punime të ngjashme gjatë tre viteve të fundit në vlerën e 50% të fondit limit.

Gjithashtu një problematikë tjetër e gjetur nga hetuesit është vendosja e një Drejtuesit Teknik të kantierit në disa kontrata të ndryshme të fituara te i njëjti autoritet kontratktor, në këtë rast Ujësjellës Kanalizime Tiranë. 

Për të kryer punime kompania e zotëruar nga Redi Molla dhe Mariglen Qato ka marrë mjete me qira duke qënë se 5D tani kishte sukses në marrjen e kontratave publike dhe kryesisht nga drejtoria e Ujësjellësit. Por ligji parashikon që të njëjtat mjete nuk mund të përdoren në dy procedura të ndryshme. Përfaqësuesit  e 5D e kanë anashkaluar këtë gjë duke futur në gara të ndryshme me të njëjtat mjete, ndërsa Komisioni i Tenderit ka zgjedhur të mos i shohë këto shkelje.

Për prokurorinë shkelja e këtyre rregullave ka qënë përjashtuese për operatorë të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në garë , ndërsa në rastin e 5D këto parregullsi kanë patur si qëllim përfitimin monetar të firmës që zotërohej nga Mariglen Qato dhe Redi Molla.

Rreth 2,7 milion euro tendera ka marrë kompania 5D gjatë kohës që në krye të ujësjellësit ishte Redi Molla dhe Mariglen Qato si drejtor i departamentit mbështetës.

SPAK është duke hetuar edhe implikimin në dhënien e tenderave të jashtëligjshëm të drejtorit që pasoi Mollën në krye të Ujësjellësit, Elton Kacidhja.

“Procesi i këtij tenderi nuk është përfundura nga Redi Molla, pasi ai është larguar nga funksioni i mësipërm dhe miratimi i raportit përmbledhës dhe lidhja e kontratës është realizuar nga personi që e ka zëvendësuar atë në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor. Lidhur me këtë procedrë Prokuroria parashtron se vijojnë hetime dhe deri në këtë fazë të procedimit nuk është konkluduar mbi shkeljet e mundshme në procedurën e zhvilluar dhe individualizimin e përgjegjësisë, në rast të konstatimit të shkeljeve.”

GJYKATA E POSAÇME

Suksesi i kompanisë 5D në punët publike që kryen bashkia e Tiranës është mjaft i madh dhe SPAK ka krijuar bindjen se ajo është favorizuar për të fituar dhjetra kontrata.

Njëra prej këtyre prokurorimeve është ndërtimi i rrugës nga Mulleti në fshatin Qeha, e cila është fituar nga kompania 5D dhe Sterkaj në vlerën e 1.5 milion eurove. Ashtu si në procedurat e ujësjellësit, edhe në këtë rast 5D nuk ka kapacitete teknike për të kryer këto lloj punimesh duke qënë se ka mungesë eksperiencë dhe mjetesh. Anëtarë të KVO në këtë rast kanë qënë Taulant Tusha i cili aktualisht ndohet në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës, Enton Punaviaj dhe Albano Janku.

“Duhet të kishin konstatuar mungesën e plotësimit të kritereve të veçanta të kualifikimit në këtë procedurë prokurimi dhe duhet të kishin skualifikuar nga kjo procedurë prokurimi bashkimin e operatorëve ‘VAS Konstruksion’ dhe ‘Sterkaj’.”- Gjykata e Posaçme

Tenderat në infrastrukturë janë edhe pjesa e luanit në punët publike që ka fituar 5D pasi dhe dy kontrata të tjera janë marrë punme vlerë 500 mijë dhe 3.3 milion euro për ndërtimin e pedonales dhe korsisë së biçikletave tek Liqeni i Thatë dhe Rehabilitimin e Qendrës së Kinostudios. Dhe në këtë rast në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave ka qënë Taulant Tusha. Sipas SPAK 5D nuk plotësonte as te këto procedura kriteret për të fituar garën.

Në këtë rast SPAK është kujdesur që të shmangë nga dosja përmendjen e Erion Veliajt si titullari i autoritetit kontraktor, duke përdour togfjau mjaftuar vetëm me fjalët Bashkia Tiranë dhe Autoritet Kontraktor. Sipas ligjit ky titullari i autoritetit kontraktor cakton anëtarët e Komsionit të Vlerësimit të Ofertave në të rast Taulant Tushën, Punavijën dhe Jankun. Është e paqartë se përsë në rastin e Redi Mollës, SPAK ka përmendur emrin e titullarit dhe në rastin tjetër jo. Titullarët janë përmendur dhe hetuar dhe në rastin e tenderave të zhvilluar nga Tirana Parking dhe në atë të Klubit Sportiv Tirana. Megjithatë prokuroria sqaron se hetimet për këtë skemë vazhdojnë.

… “ Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.”

Për për rolin e titullarit kontraktor në këtë rast është kujdesur gjyqtarja e cila çoi në qeli zyrtarët e bashkisë së Tiranës. Në faqen 99 të vendimin paragrafi 88 gjykata vlerëson se duhet të hetohet titullari i autoritetit kontraktor në këtë rast kryetari i bashkisë Tiranë ose nënpunësi i autorizuar prej tij.

“Në raport me faktet dhe rrethanat si më sipër, gjykata vlerëson se në vijim të hetimeve duhet të hetohen dhe vlerësohen edhe përgjegjësitë e mundshme të titullarit të autoritetit kontraktor ose nënpunësit të autorizuar në lidhje me detyrimet ligjore të tij për të kontrolluar ligjshmerinë e procedurave të prokurimit object procedimi,për të vlerësuar nëse në to ka elemte të figurës së veprës penale.”- Gjykata e Posaçme

SPAK

Të kthehemi tek roli i Taulant Tushës në këtë çështje i cili jo vetëm ka marrë vendime për t’i dhënë padrejtësisht tender kompanisë 5D, por kanë dalë biseda se ka patur njohje me pronarin dhe administratorin e saj. Tusha është kapur duke komunikuar me një person për një procedurë tenderimi në lidhje me rindërtimin e shkollës Hasan Vogli në Tiranë. Në kompjuterin e Nestor Muhametllarit është gjetur një fotografi e komunikimit me Taulant Tushën. Sipas përmbajtjes së këtij komunikimi Tusha i ka dërguar personit tjetër “mangësitë.doc” dhe zhvillojnë këtë bisedë:

Bashkëbiseduesi: Kush e solli këtë?

Taulant Tusha: Dr ime.

Bashkëbiseduesi: Ti plotësoj me urgjence, po ia çoj.

Taulant Tusha: Nuk e kuptoj pse nxitohen, thuaj Nestorit fol me Anjezën për projektin.

Bashkëbiseduesi: I kam thënë unë shpejt,shpejt, ok.

Taulant Tusha: Ilda qenka l….

Bashkëbiseduesi: Direkt.

Sipas SPAK ky komunikim tregon se Taulant Tusha ka patur dijeni se cilët janë pronarët e vërtetë të kompanisë 5D dhe biseda e mësipërme tregon se flet më  një person që urdhëron dhe udhëzon Nestor Muhametllarin pronarin dejure të 5D. Madje Tusha i thotë personit që Nestori të flasë me Anjeza Çallpatin vartëse e tij në Drejtorinë e Planifikimit të Punëve Publike të Bashkisë Tiranë.

Tentakulat e 5D në bashkinë e Tiranës shtrihen edhe në drejtori të tjera sic është ajo “Tiranë Parking” e cila drejtohet nga Englantina Zere. Rikonstruksioni i Sheshit të stadiuimi Selam Stermasi është kontrata tjetrë e fituar nga kompania e drejtorëve të bashkisë. Hetuesit kanë gjetur biseda se si administratorja e kësaj kompanie bisedonte me Nestor Muhametllarin për t’i dhënë tenderin, madje priste që vlerësimin e ofertave ta bënte Manjola Bunguri, punonjëse e kompanisë 5 D.

… “Rezulton edhe fakti se verifikimin dhe vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë të tjerë që kanë marrë pjesë në procedurën e tenderimit nuk e kanë bërë antarët e KVO-së, por shtetësja Manjola Bunguri që ka punuar në shoqërinë ‘5D Konstruksion’.”- Gjykata e Posaçme

Rasti më flagrant është me procedurën e palestrës së mundjes të Klubit Sportiv Tirana, ku Deborah Keçi, drejtore e këtij klubi jo vetëm lejon vlerësimin e ofertave nga punonjësit e 5D, por i jep dhe pasëordet e punonjësve të saj bashkë me logimet.

Sink… “Rezulton se shtetësja Deborah keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor është dakordësuar për fituesin e procedurës që në fazën e dokumentave, ende pa u shpallur procedura. Shtetasi Nestor Muhametllari dhe punonjësit e tjerë të kompanisë kanë përgatitur preventivin e punimeve, kanë patur userat dhe fjalëkalimet e anëtarëve të KVO-së dhe e kanë kryer vetë vlerësimin e ofertave dhe dokumentave të depozituara nga operatorët e tjerë ekonomikë.”- Gjyakata e Posaçme

Në materialet e dorëzuara pranë Gjykatës së Posaçme për të dhënë masat e sigurisë, prokuroria ka vënë në dispozicion materiale për të bindur gjykatën, por denoncimet e Partisë Demokratike po tregojnë se si paratë e përfituara nga tenderat korruptivë janë investuar në një hotel në Durrës, në një tjetër në Dhërmi ku në skenë del ish- drejtori i shitjeve në Ujësjellës Kanalizime Tiranë Elvin Tivari.

Të ardhurat e kompanisë 5D Konstruksion nga viti 2016 që është themeluar deri në fund të vitit 2022 kapin vlerën 20 milion euro. Kjo skemë tregon mënyrën e zhvatjes të kthyer në një sistem brenda bashkisë Tiranë, ku drejtuesit e saj kanë kompani, hyjnë në tendera me kompani të lidhura me biznesmenë të pushtetshëm, bëjnë takime me ta hapur dhe miratojnë leje ndërtimi për pallate për veten e tyre duke pastruar paratë por dhe përfituar miliona euro.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy