Deputeti i Partisë Socialiste, Parid Cara, flet për largimin e Blushit nga PS-ja, duke sqaruar se kostoja e tij do të duket në momentin që ai vetë do të provojë në zgjedhje “se sa i vlen lëkura”.
“E kam ndjekur lëvizjen e ditëve të fundit që kanë bërë dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, Ben Blushi e Mimoza Hafizi, dhe ishte e pritshme që ata të largoheshin nga PS-ja. Sesa do ta penalizojë ky largim Partinë Socialiste, këtë nuk di ta them, pasi Blushi duhet të provohet në zgjedhje “se sa i vlen lëkura”. Natyrisht historia e këtyre 25 viteve të Partisë Socialiste ka pasur fenomene kur deputetë të saj janë larguar dhe prapë janë rikthyer. PS-ja është një parti e hapur dhe demokratike dhe kam bindjen se strukturat e saj do ta pranojnë sërish Blushin, pasi të ketë kuptuar që ka gabuar”, thotë Cara.



