
Konferenca e Kryetarëve është mbledhur këtë të hënë për nismën e PS për shkarkimin e Presidentit Meta.
PS ka mbledhur deri më tani 47 firma për nismën, teksa Taulant Balla ka prezantuar nismën e cila do të futet në kalendarin e punimeve të Kuvendit.
Mësohen edhe hapat që do të ndiqen për këtë nismë, nga seanca dëgjimore me Metën, tek Komisioni Hetimor Parlamentar, raporti që i kalon Kuvendit dhe më pas 94 votat që duhen për të vendosur për shkarkimin ose jo të Metës si President.
Nuk mbetet me kaq, Gjykata Kushtetuese funksionale do të jetë ajo që do të japë vendimin final.
Kjo është hera e dytë që PS inicion shkarkimin e Metës, kur nga e para u tërhoq, kësaj radhe mazhoranca akuzon Presidentin për shkelje kushtetuese gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
PS e akuzon Metën për shkelje të rënda përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore. Paralajmërimi për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.
Më pas Rama e përforcoi këtë pas zgjedhjeve duke thënë se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendim, duke nënkuptuar shkarkimin e tij nga detyra.



