
Alexander Varaut, eurodeputeti francez ka reaguar ashpër në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, vetëm disa ditë, pasi Tirana zyrtare mirëpriti Komuniteti Politik Evropian me pjesëmarrjen e rreth 47 krerë shtetesh evropiane.
Varaut shprehet i habitur nga qasja e unionit evropian për të përshpejtuar procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor duke përmendur Shqipërinë të cilën e ka cilësuar si një vend të shkatërruar nga trafiku i drogës dhe që nuk ka stabilitet dhe siguri.
“BE do të nxitojë në procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe tashmë Shqipëria na paraqitet si nxënësja model. Me të vërtetë? Ky vend i shkatërruar nga trafiku i drogës, i armeve dhe qenieve njerëzore dhe i minuar nga korrupsioni qenka gati t‘i bashkohet BE-së deri më 2030? Kush e beson një përrallë të tillë? Shqipëria nuk mishëron as stabilitetin as shtetin e së drejtës, por një kaos të organizuar, eksportues i pasigurisë. I tërë rajoni është një fushë baruti, mes krizës politike në Serbi, tensioneve të vazhdueshme në Kosovë, mungesë stabiliteti në Bosnje-Hercegovinë dhe influence konstante të Turqisë.”, tha Varaut.
Varaut ka shkuar edhe më tej në deklaratën e tij, duke thënë se Bashkimi Evropian me vendimt që po ndërmerr, po prodhon kaos në vetvete dhe se prioriteti i unionit është përforcimi i kufijve dhe jo zgjerimi në zona gri.
“Ballkani mund të jetë çdo gjë, por jo një parajsë paqeje. E megjithatë, Brukseli vazhdon përpara kokëulur në emër të stabilitetit. Cili stabilitet? Importimi i problemeve që s’dimë të zgjidhim në vendet tona? Zgjerimi nuk është një zgjidhje, por një risk madhor! Prioriteti është përforcimi i kufijve tanë, e jo zgjerimi në zonat gri. Duke u sforcuar për të blerë paqen, BE po prodhon kaosin në vetvete. Evropa s’ka prirje të bëhet xhandari i botës, por duhet të mbrojë interesat dhe sigurinë e saj.”, përfundoi Varaut.
Që nga momenti ku Shqipëria ka çelur disa prej grupkapitjve, të cilët e afrojnë më shumë me anëtarësimin e plotë në BE, Varaut, është ndër të paktët deputetë që ka folur kaq ashpër e kundër anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.



