Majlinda Manushi, eksperte ligjore, thotë se projektligji për taksimin e profesioneve të lira do të dëmtojë biznesin e vogël. Në studion e MCN Economy, Manushi tha se për ligjin nuk ka pasur konsultim me grupet e interesit.
Është për të ardhur keq që ky projektligj po bie ndesh me pretendimet e kësaj qeverie. Nga viti 2022 e deri tani, ky projektligj po diskutohet. Është për të ardhur keq që kjo kategori biznesi po diferencohet për t’u persekutuar. Miratimi i këtij ligji do të kthehet në bumerang për të gjitha bizneset e vogla. Është antikushtetues pasi shkel të drejtat e një kategorie biznesesh. Nuk merret parasysh se këto biznese dalin në treg duke sakrifikuar për gjetjen e tregut. Profesionet e lira dominohen nga informaliteti se bizneset që kanë të bëjnë me tregtinë dhe prodhimin. Qeveria shqiptare nuk është konsultuar me grupet e interesit.
Manushi tha se për hartimin e këtij projektligji ka pasur lobim.
Ka klientelizëm. Këtë e them me bindje sepse e shikojmë në treg mënyrën si trajtohen profesionet e lira. Janë të fushave më të ndryshme. Janë të rregulluara sipas një legjislacioni të përcaktuar. Ato e kanë të rregulluar mënyrën si do ta ushtrojnë veprimtarinë dhe të shtosh një ligj të ri për ta është një barrë e shtuar.



