
Smogu dhe në mënyrë të veçantë gazi që lëshojnë makinat me naftë mund të kthehet në një faktor determinues për shfaqjen e artritit reumatoid, sëmundje kronike që prek kyçet dhe ndikon në të gjithë organizmin. Ky është përfundimi i një studimi të kryer në Universitetin “La Sapienza” të Romës, i cili hedh një tjetër hap në rrugën e shumë studimeve që kanë analizuar ndikimin e mjedisit ku jetojmë në sëmundjet e sistemit imunitar, siç janë ato reumatike.
Fillimi i artritit reumatoid lidhte me rritjen e nivelit të citrulinizimit, një proces natyror i rregullimit të funksionit të proteinave, që nëse teprohet, provokon akumulim të këtyre proteinave.
Këto, nga ana tjetër, sjellin si përgjigje prodhimin e antitrupave, duke çuar në një sulm autoimun ndaj indeve normale. Deri më sot, faktori kryesor mjedisor i njohur për aktivizimin e këtij procesi ka qenë duhanpirja.
Studimi i publikuar në revistën “Cell Death & Disease”, është thelluar në rolin e grimcave që lëshojnë mjetet me naftë dhe ka vlerësuar efektet në funksionimin dhe karakteristikat biologjike në qelizat e indeve bronkiale.
Rezultatet e eksperimenteve kanë treguar se nanogrimcat që lëshohen nga djegia e naftës kanë potencialin për të nxitur procesin e autofagisë, (një formë e vetëtretjes) dhe vdekjes së qelizave bronkiale epiteliale, shoqëruar me prodhimin e proteinave që dalin nga procesi i citrulinës.
"Bazuar në këtë vëzhgim të ri - shpjegojnë autorët - mund të supozohet se ndotja e ajrit mund të ketë ndikim në individë të predispozuar, në patogjenezën e disa sëmundjeve që kanë lidhje me sistemin imunitar si artriti reumatoid."



