
Gazetari Neritan Sejamini tha mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN Tv se ka një përpjekje të fondacionit personal të Erdoganit në Shqipëri për tu futur në fushën e arsimit.
Sipas Sejaminit kemi ndërhyrje të politikës së jashtme turke në Shqipëri e cila po shënjestron elementë të rëndësishëm të identitetit kulturor, fetar dhe arsimor.
Një fondacion që financohet nga qeveria turke, “Marif”, po krijon shkolla. Ka blerë Universitetin më të rëndësishëm privat në Shqipëri. Kemi një përpjekje të fondacionit politik, personal të Erdoganit që po mundohet të futet në fushën e arsimit në Shqipëri. Ky është një tjetër element i kësaj historie që ia vlen të ndalemi, në fushën e ndikimit që Erdogani po bën në kulturë, në fe, po mundohet dhe në arsim. Janë përpjekje me prapaskenë kulturore.
Kemi ndërhyrjen e politikës së jashtme turke, të Erdoganit në Shqipëri i cili duket se shënjestron elementë të rëndësishëm të identitetit kulturor, fetar, arsimor dhe kombëtar në Shqipëri. Kjo është diçka që duhet të ndalemi, rastet e rralla kur ndihma vjen me prapaskenë të theksuar me qëllime të theksuara. Ne ndaj Turqisë janë shumë here më tolerantë se ndaj të tjerëve. Do kishim reaguar ndryshe drejt Greqisë apo Serbisë. Kur vjen puna kemi tolerancë të madhe, kemi ndërhyrje e cila është e motivuar për qëllime politike të politikës së jashtme turke.



