
Politikani më i fuqishëm i Rumanisë është dënuar me burg nga Gjykata e Lartë në vendin e tij. Kreu i Partisë Social Demokrate, Liviu Dragnea, e kishte apeluar vendimin e shkallëve të mëparshme të gjyqësorit, të cilat e kishin shpallur fajtor për nxitjen e të tjerëve për të kryer shpërdorim detyre.
Dënimi parashikon tre vjet e gjysmë burg dhe është i formës së prerë.
Dragnea, i cili mban detyrën e kreut të Dhomës së Ulët të Parlamentit, e apeloi vendimin fillestar vitin e kaluar.
Që prej ardhjes në pushtet në fund të vitit 2016, socialdemokratët kanë shmangur vazhdimisht pavarësinë e gjyqësorit, duke ngritur kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe duke u bërë shkak për protestat më të mëdha të Rumanisë në dekadat e fundit.
Të dielën, votuesit mbështetën një referendum të propozuar nga presidenti Klaus Iohannis, për të parandaluar dobësimin e sistemit gjyqësor nga partia e Dragneas.
Gjykata e Lartë e gjeti 56-vjeçarin Dragnea fajtor për mbajtjen e dy grave në listën e pagave të një agjencie shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve, edhe pse ato punonin për partinë e tij.
Dragnea, i cili ishte kreu i parë i PSD që erdhi nga jashtë kryeqytetit, i është ndaluar të bëhet kryeministër për shkak të një dënimi të mëparshëm në një rast manipulimi votash.
Këto implikime bënë që votuesit ta dënonin PSD në zgjedhjet e Parlamentit Europian, në të cilat mbështetja e partisë u përgjysmua në 22.6 për qind në krahasim me votimin e fundit kombëtar, në 2016.
Dhjetëra mijëra rumunë që punonin jashtë vendit nuk ishin në gjendje të votonin të dielën pasi qëndruan për orë të tëra në radhë jashtë konsullatave dhe qendrave të votimit, për shkak të burokracisë dhe problemeve të personelit.
Rumania renditet një nga anëtaret më të korruptuara të BE-së nga Transparency International.
Vendi është tronditur gjatë dy viteve të fundit nga protestat lidhur me përpjekjet e partisë në pushtet për të dekriminalizuar disa vepra të korrupsionit dhe për të dobësuar gjyqësorin.



