
Prefekti i Korçës Nertil Jole foli përmes një lidhje Live në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi situatën me zjarrin në Malin e Thatë dhe Parkun Kombëtar të Prespës.
Ai bën me dije se sipërfaqja e djegur mund të arrijë në 200 hektarë, por fatmirësisht pjesa më e madhe është kullotë, dhe shumë pak kurorë e gjelbër.
Jole vuri në dukje se janë angazhuar të gjitha strukturat në nivel vendor, si dhe ka pasur ndërhyrje nga ajri me helikopter, dhe “po bëhet përpjekje maksimale që të mos preket në një përmasë të madhe Parku Kombëtar i Prespës”.
I pyetur si paraqitet situata në Malin e Thatë, ai shprehet:
“Jemi në ditën e pestë të një vatre kompleksi zjarri, e cila ka ardhur nga territori i Maqedonisë së Veriut. Jemi duke u angazhuar me të gjitha kapacitetet profesionale në nivel qarku. Dje kemi pasur një ndërhyrje me helikopter cougar të mundësuar nga Ministria e Mbrojtjes. Kemi mobilizuar të gjitha strukturat në nivel vendor. Sot që në mëngjes kemi grumbulluar forcat e angazhuara, që janë nisur në territor për të luftuar me vatrën e zjarrit. Kemi mobilizuar strukturat vendore të disa bashkive, të shërbimit pyjor, patjetër edhe të detashmentit dhe forcave të ushtrisë. Zjarri është në territor të thyer dhe në territor të thyer dhe në distancë largët nga qendra e banuar. Fatmirësisht deri tani sipërfaqja e prekur është kullotë, por zjarri ka prekur edhe kurorën e gjelbër, dhe jemi në përpjekje maksimale që krijojmë një perimetër, në mënyrë që mos preket në përmasë të madhe Parku Kombëtar i Prespës”.
I pyetur nëse ka depërtuar zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës Jole u shpreh:
“Deri në 09:30 kam qenë aty. Aktualisht trupat dhe forcat janë në brendësi të territorit. Situata paraqitet e vështirë, por disi më e lehtësuar, pasi dje kemi pasur ndërhyrje me cougar dhe kemi pasur mbështetje nga pala maqedonase me dy avionë. Nuk dyshojmë për zjarrvënie të qëllimshme. Ndoshta është shkaktuar për shkak të një feste kombëtare në Maqedoninë e Veriut. Janë 80 forca, nga disa bashki”.
I pyetur mbi pritshmëritë dhe ndërhyrjet e mundshme në orët në vijim, ai shton:
“Do të vlerësohet nëse duhet të kemi sërish një ndërhyrje nga ajri. Kryetari i bashkisë ka mobilizuar edhe banorë të zonës. Nuk mund të flasim me saktësi, por besoj që janë 200 ha të djegura, por fati i mirë shumica është kullotë, një sipërfaqe e vogël është prekur nga kurora e gjelbër. Besoj që në fund të ditës së sotme do kemi një situatë më normale. Jam në komunikim sistematik me ministrit, dhe mund të vlerësohet edhe mundësia e aktivizimit të mekanizmit, por s’besoj e do arrijmë aty”.



