
Hidrocentrali i Fierzës, i cili pak ditë më parë ishte në gjendje kritike, në orët e fundit ka pësuar një rritje të nivelit të ujit. Edhe në 2 hidrocentralet e tjera të Drinit, Koman dhe Vau i Dejës, ka një rritje të lehtë të nivelit. Megjithatë, ky përmirësim i situatës është i përkohshëm dhe minimal. Në një lidhje me Skype me MCN TV, Azmer Duleviç, inxhinier elektrik dhe pedagog, tha se aktualisht Fierza gjendet në kuotën 265 m, ndërsa minimumi është 259 metër. Sipas Duleviç, në kushtet e krizës së përgjithshme energjetike dhe kapaciteteve mbi të cilat mbështetet Shqipëria, është e domosdoshme mbështetja e projekteve të energjisë së rinovueshme.
Nevojat e vendit për energji janë të konsiderueshme. 98% e energjisë prodhohet nga HEC. Në kushtet kur çmimi po rritet do të kemi edhe rritjen e kostos. Shoh si alternativë të vetme mbështetjen për projektet e energjisë së rinovueshme.
Nëse TEC i Vlorës do të ishte në punë, nuk do të ishim në këtë situatë kaq të rënduar. TEC i Vlorës ka shumë vite që është përfunduar dhe nuk vihet në punë. Vetëm merr të ardhura. Ministrja tha se do të merren dy anije për të prodhuar energji. Zgjidhjet janë të pakta dhe do të gjenden metoda alternative.
Sipas Duleviç, çmimi i energjisë nuk do të ketë ulje.
Çmimet siç kanë qenë nuk do të jenë më kurrë. Nëse çmimet mbeten në kuotat që janë sot, do të jenë të pranueshme. Nuk e dimë sa do zgjasë konflikti Rusi-Ukrainë, ndaj çmimet 80-90 euro nuk besoj se kthehen më.



