Komisioni hetimor parlamentar për cështjen CEZ është përfshirë nga debate të forta. Deputeti demokrat Arben Ristani e ka quajtur shpifës socialistin Taulant Balla, duke kërkuar dorëheqjen e tij nga kryesimi i këtij komisioni. Akuzat mes tyre kanë qenë të forta aq sa për pak kanë përfunduar edhe në një përplasje fizike.
Kryetari i Komisionit i hoqi të drejtën e fjalës Ristanit duke i fikur mikrofonin ndërsa ai fliste. Por ky veprim nuk është pritur mirë nga deputeti i djathtë. Ristani është ngritur në këmbë duke tentuar të shtypë butonin për t’i mbyllur mikrofonin Taulant Ballës. Më tej mbledhja është ndërprerë.
Për tu paraqitur dhe për të dëshmuar në mbledhjen e sotme, ishte parashikuar prania e Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrin, i cili nuk u paraqit.
Në një letër drejtuar Komisionit, Shkelzen Berisha, shkruan se e ka të pamundur paraqitjen për shkak se ndodhet jashtë shtetit për arsye pune.
Kreu i Komisionit Balla, tha se ky njoftim nuk përmbush rregullat e një njoftimi ligjor.
"Kemi vazhdim të marrjes së dëshmive të dy dëshmitarëve të Nue Nikë Kalaj. Nuk ka ardhur. Kalojmë tek Shkelzen Berisha. Njoftohem nga Sekretaria që shtetasi Shkelzen Berisha ka drejtuar një njoftim drejtuar Komisionit Hetimor. I dënuari (lexon shkresën). Ou qenkam unë i dënuari, kryetar i komisionit. Faleminderit. Nuk e lexoj këtë shkresë. Supas këtij dëshmitari që vazhdon të tallet me këtë Komision informohemi se ne jemi të dënuar anëtarët e Komisionit bashkë me mua apo unë vetëm, pak rëndësi ka. Ky person nuk mund të vijë në Komision se qenka jashtë shtetit për një event pune apo për të festuar Shën Valentin, nuk e dimë", tha Balla.



