
Konfirmohen pesë viktima nga përplasja e dy avionëve në aeroportin Haneda të Tokyos.
Ngjarja ndodhi këtë të martë, kur një avion i “Japan Airlines” me rreth 400 pasagjerë, u përplas me një avion të rojës bregdetare japoneze me gjashtë pjesëtarë në bord, që ndodhej në pistë për t’u nisur në zonat e prekura nga tërmeti, për të dërguar ndihma.
Fillimisht u raportua për pesë persona të zhdukur nga avioni i rojës bregdetare, ndërsa gjatë kërkimeve autoritetet konfirmuan pesë viktima.
Ndërsa një person, që dyshohet se është kapiteni arriti të shpëtonte, por theksohet se është në gjendje të rëndë si pasojë e plagëve që ka marrë.

Në avionin e pasagjerëve u arrit që të bëhej i mundur evakuimi i rreth 400 pasagjerëve, ndërsa avioni digjej nga flakët.
Zjarri shpërtheu në fluturimin 516 të Japan Airlines i cili ishte nisur nga Hokkaido në Japoninë veriore gati dy orë më parë.
Duket se ky fillim viti për Japoninë nuk ka qenë aq i mbarë. Një tërmet i fuqishëm goditi vendin ditën e djeshme dhe shkaktoi një panik të madh nga frika e një cunami.
Roja bregdetare e Japonisë thotë se avioni i saj, i cili është përplasur me avionin e pasagjerëve, ishte rrugës për në aeroportin Niigata për të ofruar ndihma në gadishullin Noto të goditur nga tërmeti, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.



