
Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmet ndaj EULEX në veri të Kosovës. Ai shprehet se Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu, ndërsa shton se shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit Beogradi duhet t’i përgjigjen me të njëjtën përgjegjësi.
Sipas Ramës, BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.
Sulmet mbi @EULEX Kosovo janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!
Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!
Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.
Edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropës, Olta Xhaçka u është bashkuar thirrjes së ndërkombëtarëve për dënimin e sulmit ndaj EULEX-it në veri të Kosovës. Ajo shprehet se është e rëndësishme të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit.
Shqipëria dënon ashpër sulmet ndaj @EULEX dhe në Policinë e Kosovës në veri të Kosovës. Ne u bashkohemi thirrjeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë për heqjen e menjëhershme të barrikadave nga grupet e serbëve të Kosovës. Është e rëndësishme të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit.



