
Zbulohen detaje të reja lidhur me sherrin e ndodhur mes dy fqinjëve në Tiranë, çka përfundoi me një viktimë.
MCN mëson se Alban Meneri ka rrahur Nikolin Stakën, i cili gjeti vdekjen si pasojë e hemorragjisë së brendshme.
Staka me profesion mësues dhe me origjinë nga Laçi, prej një muaji kishte nisur të jetonte me qira në Tiranë, pasi më herët kishte qenë në Belgjikë.
Staka ka parë nga ballkoni i katit të dytë të banesës që Meneri po debatonte me një grua për punë parkimi, dhe në këtë moment ka ndërhyrë.
“Nuk të vjen zor që zihesh me një grua.
Si përgjigje Meneri i ka kërkuar që të zbresë poshtë, “hajde këtu se ta tregoj unë”.
Nikolini ka zbritur poshtë dhe më tej e ka qëlluar me grushte në kokë, fytyrë dhe qafë, për t’u larguar më tej.
Dyshohet se Staka ka gjetur vdekjen si pasojë e hemorragjisë në banesë, teksa ngjarja është shënuar më 30 korrik, ndërsa viktima u gjet i pajetë vetëm ditën e djeshme, më datë 21.
Lidhur me ngjarjen policia tha se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 ndaluan me iniciativë shtetasin A. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.
Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte në pjesën e qafës, duke i shkaktuar dëmtime në laring, fqinjin e tij, shtetasin N. S., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë në banesë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



