Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor Tiranë ka zhvilluar tenderin me objekt “Organizimi i simpoziumit me temë “Partneriteti dhe bashkëpunimi me Qeverinë dhe Institucionet e tjera shtetërore, 29 Prill 2023. Fjala Simpozium do të thotë mbledhje studiuesish të një fushe të caktuar për të rrahur shkencërisht një çështje të veçantë me interes të përbashkët.
Në këtë rast lind pyetja, cila ishte çështja në simpoziumin “Partneriteti dhe bashkëpunimi me Qeverinë dhe Institucionet e tjera shtetërore? Ndryshe nga sa u kamoflua në dokumentat e tenderit, ku u kujdes që në asnjë rast të mos përmenden makinat RETRO, në faqen e e saj në facebook, Drejtoria e Shërbimimeve të Transportit Rrugor ka zbuluar dhe arsyen e organizimit të këtij simpoziumi.
Në status shkruan: “ Ekspoze “Retro Transporti” në ambientet e Maritim Hotel Plaza, që shoqëron Simpoziumin e FIVA (ku FIVA është Federata Ndërkombëtare e Automjeteve Klasike, në 29 Prill 2023), fton kuriozët e artefakteve dhe koleksionit, të vizitojnë nga afër objekte, kartolina e makete, bileta e dokumenta, patenta, guida, foto, mjete motorike ose me rrota, modele, veshje dhe për herë të parë albume pullash mbi transportin shqiptar nga filatelisti Bajram Peçi.
Dekorojmë aktivitetin historik të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në bashkëpunim me Federata Ndërkombëtare e Automjeteve Klasike, Retro.al, që mbledh përfaqësues të komunitetit retro, ekspertë të sektorit, koleksionistë e promotorë të trashëgimisë automotive nga e gjithë bota„! Ky tender u shpall në datën 24 prill dhe data e mbylljes së ofertave ishte parashikuar një ditë më pas më datë 25 prill.
Tenderi fillimisht u anullua me motivacionin “nuk është paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme në procedurat me një fazë”. Për këtë arsye u rishpall në datën 25 dhe data e mbylljes së ofertave, ishte parashikuar data 26 .Një ditë më pas, u shpall edhe fituesi, i cili nga faktet që do të publikojmë duket i paracaktuar. Për të fituar tender ishin vendosur këto kritere: Ambienti ku do te zhvillohej eventi duhet te ishte shumë afër qendrës së Tiranës. Duhet te kishte hapësirë mbi 375 m² për 100 persona.
Në këtë rast operatori që i plotësonte këto kritere ishte operatori që u shpall edhe fitues. Aktiviteti sipas dokumentave të tenderit përveç simpoziumit do të ofronte coffee break paradite dhe pasdite për 200 persona, si dhe drekë pune për 100 persona.
Kamerat e Xhadave ndoqën aktivitetin në të cilin zbuluan se Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transporit Rrugor nuk po realizonte një aktivitet apo simpozium me temë “Partneriteti dhe bashkëpunimi me Qeverinë dhe Institucionet e tjera shtetërore„.
Ky aktivitet ishte për makinat retro. Gjithashtu nëse në dokumentat e tenderit thuhej se në drekë do të merrnin pjesë 100 persona, kamerat e fshehta zbuluan se dreka u shtrua jo për 100, por 20 persona afërsisht, të shpërndarë në këto dy tavolina.
Përmes një tenderi tjetër Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, ndonëse aktivitetin dhe drekën e aktivitetit e mbyllin në orën 17:00 pasdite, në darkë mendoi të organizonte “Mbrëmje Gala pas simpoziumit me temë “Partneriteti dhe bashkpunimi me Qeverinë dhe Instituconet e tjera shtetërore 29 Prill 2023 ”. Nëse për tenderin e parë vlera e kontratës ishte rreth 4 milion lekë, në tenderin e dytë ishte 6.5 milionë lekë. Ambienti ku do të organizohet eventi duhet të ketë hapësirë mbi 400 m² për 200 persona pa kolon në mes. Ambienti ku do të organizohet koktej para fillimit të darkës duhet të jetë i hapur jashtë sallës së organizimit të darkës 500 m ²-thuhej në dokumentat e tenderit. Fitues i këtij tenderi u shpall operatori Geci, ose Tirana Internatinal Hotel, i njohur ndryshe si hotel 15- katshi.
Në dokumentat jepen këto detaje: Darka do të nis me një kokteil mirëseardhjeje ku përfshihen Spumante, lëngje frutash si dhe bukë me gjalpë të aromatizuar me xhinxher dhe mustardë Dijon. Menuja e darkës është e pasur me antipasta të veçanta, dy pjata kryesore, 5 lloje ëmbëlsirash ndërsa nga pijet nuk do të mungojë vera, birra, freskueset dhe uji. Mbrëmja Gala sipas dokumentave të tenderit do të shtrohej për 200 persona. Edhe në këtë rast kamerat e emisionit “Xhadat„ konstatuan se në aktivitet nuk ishin 200, por afërsisht 100 vetë.
Ndërkohë që DPSHTRR, realizonte simpoziumin, drekët dhe mbrëmjen gala, në qendër të Tiranës atmosfera e krijuar nga makinat Retro kishte mbledhur në festë shumë qytetarë. Jemi në fushatë dhe në qendër të Tiranës duhen sa më shumë aktivitete.
Në këtë rast edhe makinat retro po përdoren për këtë qëllim. Që t`i vëmë vulën përdorimit të tyre për fushatë do ta mbyllim me njoftimin e ministres së infrastrukturës dhe energjisë Belinda Ballukut, drejtuese politike e Partisë Socialiste për Qarkun Dibër se makinat retro që më 29 prill zbukuruan Tiranën, në 1 maj do të jenë në Dibër .
Kujtojmë që Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, është institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që drejtohet nga ministrja Belinda Balluku. Ndaj jo më kot RETRO shkoi në mes të fushatës elektorale edhe në Dibër.



