
Mot me kthjellime dhe vranësira do të na shoqërojë edhe gjatë ditëve në vijim deri në fundjavë, parashikon IGJEUM.
Meteorologia Anira Gjoni thotë për “MCN Live” se reshje të dobëta shiu do të rikthehen nga mbrëmja e së enjtes deri të premten, ndërsa fundjava do të jetë me mot të qëndrueshëm dhe pa reshje.
Kjo javë do të jetë në kushte të paqëndrueshme atmosferike, me alternime vranësirash dhe kthjellimesh, të cilat herë pas here do të gjenerojnë reshje.
Vranësirat do të rikthehen gjatë pasdites së të enjtes dhe mëngjesit të së premtes.
Temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë me rreth 2-3°C, ndërsa reshjet e dobëta do të prekin të gjitha qarqet, pa sjellë problematika.
Fundjava pritet të jetë me kthjellime dhe pa shqetësime nga kushtet atmosferike.
Të shtunën dhe të dielën nuk do të ketë reshje, duke sjellë një mot më të qëndrueshëm.
Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 18°C.



