Një studim britanik ka zbuluar sekretin e një jete të gjatë. Sipas University College në Londër, sekreti për një jetë të gjatë është të mësosh ta shijosh jetën, gjë që nuk e bën vetëm 1 në katër persona.
Studimi i publikuar në revistën BMJ ka përfshirë 9 365 të rritur me moshë mesatare 63 vjeç.
Të gjithë të anketuarit janë thirrur tri herë për t’iu përgjigjur pyetjeve në interval 2-vjeçare. Ata duhej të përgjigjeshin në lidhje me jetën e tyre me frazat: “Më pëlqejnë gjërat që bëj”, “Më pëlqen të jem në shoqërinë e të tjerëve”, “Nëse kthej kokën prapa provoj një ndjenjë lumturie”, “Ndihem plot me energji”.
Ata që iu shmangën përgjigjeve ishin 2 264 të anketuar, praktikisht 24 për qind e të pyeturve.
U vu re se numri i atyre që ndërruan jetë gjatë studimit ishte më i madh në grupin që kishin raportuar më pak raste gëzimi.
Ato që e shijonin më shumë jetën rezultuan të jenë gratë, të martuarit, të punësuarit, të pasurit dhe të shkolluarit.



