Një i ri në Durrës i cili kishte vjedhur një makinë dhe për t’i shpëtuar policisë, përplasi automjete, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe të punonjësve të Stacionit të Policisë Plazh, u vu në pranga.
Efektivët e policisë të Stacionit Plazh Durrës, gjatë patrullimit në territor, në rrugën “Pavarësia”, rreth orës 23:00, konstatuan një automjet pa targa dhe me xhama të zinj, që kryente manovra të rrezikshme në rrugë, dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i automjetit, sapo vuri re prezencën e policisë, shtoi shpejtësinë dhe tentoi t’u largohej shërbimeve, të cilët i bënë shenjë ndalimi.
Në ikje e sipër, aksidentoi katër automjete, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe të punonjësve të policisë, dhe më pas braktisi automjetin, duke tentuar të largohej me vrap, por u neutralizua nga policia.
Nga verifikimet paraprake rezultoi se personi i ndaluar, shtetasi M. K., 30 vjeç, ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, pasi një ditë më parë kishte vjedhur në Tepelenë automjetin me të cilin tentoi t’i largohej policisë.
Ndaj të ndaluarit hetimet janë në vijim për veprat penale “Vjedhja”, “Mosbindja e urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.



