Për gazetarin e ekonomisë në MCN TV, Klodian Tomorri, çështja e inceneratorëve është një aferë e koordinuar korruptive. Në studion e lajmeve, Tomorri tha se biznesi fitimprurës i riciklimit të mbetjeve ka qenë shënjestër e mafias edhe në Itali, por nuk ia ka dalë ta shtjerë në dorë.
Është e gjitha një aferë e koordinuar në detaje që ka nisur para sesa PS të merrte pushtetin. Gjatë kohës që PS ishte në opozitë, Rama shfrytëzoi pakënaqësinë për një ligj të Berishës lidhur me mbetjet. Pasi u pastrua fusha dhe kompanitë e riciklimit dolën jashtë loje, u krijua terreni për kompanitë e reja.
U krijua gjendja e emergjencës, u shpall dhe për 3 muaj iu dha koncesioni një kompanie me biznesmenë të panjohur. Më pas kjo u replikua në tre inceneratorë, çka solli monopolizimin e mbetjeve me vlerë 500 milionë euro.
Në Itali mafia ka vite që mundohet ta shtjerë në dorë industrinë e plehrave por nuk ia ka dalë. Por atë që nuk e bën dot Cosa Nostra e bëjnë tre biznesmenë të panjohur.
Në gjithë këtë skemë, Tomorri vë në pah edhe rolin e opozitës.
Mendoj që nëse opozita do të kishte luftuar më fort, qeveria do ta kishte të pamundur të realizonte këtë skemë. Ka pasur momente kur mund të thuhet se skema e opozitës ka qenë e dyshimtë.



