Në një intervistë në emisionin Kronos, Belind Këlliçi, ish-kandidat për kryetar bashkie në Tiranë i Partisë Demokratike dhe denoncuesi i aferës të kompanisë në pronësi të drejtorëve të Bashkisë Tiranë, thotë se personat që janë nën masë sigurie nga Gjykata e Posaçme kanë qënë drejtuesit e shtabit elektoral të Erion Veliaj në zgjedhjet vendore 2023.
“Në njësinë numër 4 shef i shtabit elektoral ishte Mariglen Qato i përfshirë në këtë skemë, Eglantina Zëre që ju shihni në dosje është kryetarja e PS në Laprakë, Elton Kacidhja ka qënë i deleguar në njësinë numër 2 si shef shtabi, Erion Rrapaj shef shtabi në Kombinat, Redi Molla në njësinë numër 1 dhe shef i shtabit të përgjithshëm të fushatës ishte Taulant Tusha. Mariglen Qato nuk ka gjetur pazar me mua se nuk ka lënë gur pa lëvizur që të mbyllë këtë çështje dhe nuk e ka mbyllur dot.” ka sqaruar Këlliçi.
Këlliçi sqaron se Veliaj ka përgjegjësi direkte në shkeljen e barazisë në tendera pasi ka postin e titularit të Autoritetit Kontraktor në disa procedura.
“Me të ardhur në bashki Erion Veliaj ka zhbërë pozicionin e Administatorit të Përgjithshëm që ka qënë më parë, pozicion që është ekuivalient me Sekretarin e Përgjithshëm që kanë ministritë dhe e ka kaluar në linjë hierarkie direkte poshtë tij çdo linjë drejtorie të bashkisë dhe çdo institucion. Titullari është vetë Erion Veliaj, nuk e kuptoj pse e ka bërë, se kjo dhe mund ta mbronte, pra të shërbente si mburojë për ta mbrojtur nga përgjegjësia. Drejtori më i rëndësishëm në Bashkinë Tiranë është drejtori i shërbimeve publike, burimeve mbështetëse dhe prokurimeve që është Taulant Tusha dhe më pas vijnë gjithë drejtorët e përfshirë në këtë aferë. Në këtë rast ka qënë dhe UKT si institucion dhe Mariglen Qato te IMT. Po në denoncimin tim unë kam kallzuar dhe Elvin Tivarin dhe Erion Rrapajn që është drejtori Mirëmbajtjes së Rrugëve dhe kam denoncuar dhe Elton Kacidhen që është administatori i sotëm i ujësjellësit. Që aty ka patur më shumë se 5 drejtorë, këtë na i tregoi SPAKU.” thotë ai.



