Rreth katër mijë fermerë pritet të përfitojnë nga skema kombëtare e këtij viti për mbështetjen e tyre, me anë të një fondi prej 743, 9 milionë lekësh.
Gjatë një vizite në një fermë që kultivon fidanë të bimëve dekorative dhe drurëve pyjorë në Cërrik, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, u tha fermerëve se aplikimet kanë nisur dhe do të përdundojnë më 19 qershor.
“Përfitues të kësaj skeme në radhë të parë janë fermërët që merren me blegtori, të cilët do të marrin mbështetje drejtpërdrejtë për tufën e matrikulluar. Mbështetje kemi edhe për serrat e tunelet plastike që do të rinovojnë plastmasin. Gjithashtu do të japim subvencione për sipërmarrjet që do të kërkojnë të marrin çertifikimin Global GAP, për rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare, si dhe për sektorin e bletarisë”.
E gjithë procedura kryhet online me zero dokumenta. Fillimisht bëhet regjistrimi në e-Albania, si qytetar, me të dhënat e kartës së identitetit. Më pas aplikanti zgjedh llojin e fermerit, vendndodhjen e fermës, masën si dhe sasinë për të cilën është interesuar dhe klikon në kutizën ku shkruhet “dërgo”.



