
Ish-deputeti Luciano Boçi tha në studion e MCN Live se vendimet e fundit të SPAK-ut tregojnë qartë një përndjekje politike të kreut të opozitës, Sali Berisha.
Boçi thotë se në gjykatë ka një konflikt interesi, ku drejtuesja e trupit gjykues është shkarkuar nga Berisha në 1996.
Veprimet e SPAK-ut tregojnë qartë për një përndjekje politike të kreut të opozitës. Çështja i ka kapërcyer kufijtë juridik dhe është në kufijtë e politikës, ose në debatin e politikës. Berisha ka kërkuar në momentin e parë të kërkimit të kufizimit të lirisë së tij, respektimin e Kushtetutës, kalimin e procedurës nëpërmjet parlamentit dhe ka kushtëzuar bindjen e tij ndaj vendimit të gjykatës. Në gjykatë ka një konflikt interesi të shfaqur me dokumente, ku drejtuesja e trupi gjykues është shkarkuar nga Berisha.
Dhe në këtë sjellje kushtetuese-ligjore, SPAK-u na paska gjetur shkelje ligjore që nuk qëndrojnë dhe për këtë arsye ka kërkuar rritjen e masës së sigurisë në formën e "arrestit shtëpiak" ose "arrest me burg" dhe kërkon ta kalojë përmes procedurës parlamentare, gjoja për të pastruar dhe pamjen e tij, meqenëse në rastin e parë nuk kërkoi një procedurë të tillë. Rritja e masës në të gjitha praktikat juridike bëhet kur dalin fakte të reja në raport me kallëzimin, një kallëzim ky politik i bërë nga një njeri politik .
Berisha ka marrë thjesht një vendim qeverisës në bazë të programit qeverisës të tij për të pasur në konsideratë një target grup të caktuar, siç janë ish-pronarët, pra që nuk qëndron si kallëzim, por që sot politikish merr ngjyra më shumë kur vendoset jashtë një procedure parlamentare dhe nga një trupë gjykuese që ka konflikte.
Gjyqtarja rezulton e shkarkuar në vitin 1996. Dokumentet janë paraqitur dhe nëse do kishte një veprim urgjent të SPAK-ut duhet të ishte hapja e një çështje penale në raport me një anëtar të gjykatës që nuk ka dëshmuar të vërtetën para komisionit të vettingut, ose të kishim një prononcim të vettingut në lidhje me dijeninë e këtij fakti se ndoshta ky komision ka pasur dijeni dhe e ka toleruar për arsye të tjera, arsye politike. Vettingu është një proces që është komanduar nga PS-ja dhe këtë konfirmim nuk e thotë Boçi në intervista, as Berisha, por e thotë vetë Rama në Asamblenë e PS-së ku ka deklaruar që drejtësinë e re e krijoi PS-ja.
Lajm në përditësim



