Shpresa Disha, një emigrante shqiptare në Itali e cila shfaqet ekstravagante dhe pa komplekse, njihet në rrjetin social TikTok si shkodrania seksi, e ka nisur punën si pastruese, duke kaluar më tej në pronare e bizneseve familjare.
Në emisionin “Zgjohu me MCN” tregon se komentet i merr nga më të ndryshme, nga komentet më të bukura, deri tek ofendimet.
Ka njerëz që zgjedhin të më ofendojnë, ka të tjerë që i shohin me pozitivitet videot e mia, por kam zgjedhur mos t’u jap rëndësi.
Kur bëj video e marrë gjithmonë parasysh që do më shajnë dhe shumicat e komenteve negative i kam prej grave.
Një grua më ka shkruar një ditë dhe më ka bërë të reflektoj shumë: ‘Mos u ofendo nga kritikat e grave, se shumica e tyre duan të jenë si ty por nuk munden.’
Gjëja e parë që njerëzit shohin është veshja, më tej kuptojnë natyrën që kam. TikTokun e kam filluar para dy vitesh si lojë. U futa në TikTok dhe pashë që njerëzit gjithmonë po më shikonin.
Por në jetën time gjithmonë kam pasur qejf për fotografi. Në fëmijëri nëna më jepte lekë për simite, unë i mblidhja dhe bëja fotografi.
Kur erdha në Itali, pata mundësi të blija foto-kamera. Dhe në jetën e fëmijëve të mi kam bërë aq shumë video, sa gjithë jetën më duket sikur kam qenë me kamera në dorë.
Kur hyra në TikTok, ndjeva sikur ishte diçka që më përkiste. Mund të përhapja diçka të bukur për popullin tënd, për dikë mund të jetë vulgare, por synimi im ishte të përcillja pozitivitetin dhe elegancën.
Nga familjarët nuk kam pasur asnjëherë reagime negative. E vetmja gjë që nuk donin është që prindi ose gruaja të jetë e kritikuar nga njerëz të ndryshëm.
Duke kujtuar largimin e saj në Itali, Shpresa tregoi se është larguar nga Shkodra në vitin 1997, me anijen që është nisur nga Velipoja, e cila ka pasur një kapacitet prej 15 persona, ndërsa në të ishin 570 vetë.
Ajo tregon se teksa ishin brenda në anije, nuk kuptonin asgjë.
Kur kemi parë delfinat, u anuam të gjithë për t’i parë, dhe ishim gati për t’u fundosur.
Ne u turrëm të tërë për te delfinat që erdhën të na shpëtonin, vetëm kur dëgjojmë kapitenin, mos lëvizni se do mbytemi.
Kam pasur nënën me vete dhe vajzën 3 vjeçe dhe djalin 7. Rrezikuam të mbytemi.
Aty arrin të kuptosh që çdo njeri, çdo shpirt nëne kërkon të rregullojë jetën e fëmijës dhe nuk parashikon që aty mund të ndodhë edhe vdekja.
Nuk dëshiron që ta shikosh fëmijën të vuash. Kur ishim gati në fundosje, për mua ishte një gabim që kishim bërë.
Thamë mirë ne erdhëm me mendimin dhe trurin tënd, por fëmijët çfarë faji kanë. Ky makth ka zgjatur tre ditë dhe fëmijët e mi kanë jetuar me dy biskota, që na i fali një familje.
Kur mbërritëm në Itali na kanë çuar në një vend ushtarak, të rrethuar nga ushtria. Dilnin me furgon na merrnin, na çonin për të bërë dush, na jepnin rrobat e lara të mbledhura nga Karitasi për ne.
Aty kam ndenjur një muaj, me fëmijët dhe nënën në rulotë. Për mua ndryshoi jeta ime, se e pamë veten shumë keq. Burri im ka ardhur dy vite para meje, burri punonte.
Burri shkoi me gomone nga Vlora, gomone me një motor dhe motori është fikur në det të hapur dhe kanë pritur dy ditë që t’i nxirrnin në breg.
Kur të tjerët u kthyen në shtëpi, ai nuk u kthye, mori vendimin për të shkuar sërish në Itali se ne kishim shitur shtëpinë dhe e kishte vendosur ose i gjallë ose i vdekur do shkoj.
Gjithë sakrificat më janë shpërblyer se kemi realizuar ato që ne nuk kishim menduar asnjëherë në jetë, çdo gjë me punën. Fillimet kanë qenë shumë të vështira.
Në fillim morëm një shtëpi me qira, filluam të jetojmë, se burri deri atëherë ka jetuar me njerëzit e mi. Mbas tre muajve shkova në një shtëpi si punë zëvendësuese e një personi që njihja. Aty dhashë shpirtin tim.
Kur mora lekët e para në dorë, fillova të qaja dhe mu duk vetja më e pasura në botë.
Më pas si familje më mbajtën aty edhe pasi mbaroi një muaj. Aty kam filluar të punoj disa muaj deri sa u hap fjala se është një vajzë e re që do të punojë, aty filluan njerëzit të më donin dhe më kanë dashur gjithmonë shumë.
Kam gjithmonë marrëdhënie me publikun shoh njerëzit e sëmurë që ankohen, shoh vuajtjet e tyre dhe unë arrij gjithmonë të rri me këmbët në tokë dhe të kuptoj se kjo jetë është e shkurtër dhe nuk ia vlen të kalojmë keq. Jetës nuk i dihet asnjëherë.



