
Një koment i bërë ditën e djeshme nga presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, në lidhje me shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian vijon të gjenerojë reagime nga politikanët e kontinentit.
“Ka një vend të veçantë në ferr për ata që nxitën Brexit-in pa pasur më parë një plan për daljen nga BE-ja”, tha Tusk gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Irlandës. Pak orë më vonë, këtij qëndrimi iu bashkua edhe presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili tha se përpjekjet për një Brexit të padëmshëm janë një ferr i vërtetë.
Debatit online i është bashkuar sot edhe ish-ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis, i njohur për qëndrimet kundër politikave të Brukselit.
“Ndoshta vendi në ferr për ata që deshën Brexit-in është i njëjti që u është rezervuar atyre që ideuan një bashkim monetary pa një sistemin e duhur të bashkimit bankar dhe, kur kriza e bankave nisi, në mënyrën më cinike i transferuan humbjet gjigante të tyre në kurriz të taksapaguesve të varfër”, shkroi Varoufakis.
Ekonomist nga radhët e së majtës greke, Varoufakis doli në skenë gjatë krizës financiare greke, si anëtar i partisë radikale Syriza.
Varoufakis udhëhoqi negociatat me kreditorët e Greqisë gjatë krizës së borxhit. Megjithatë, ai nuk arriti të arrinte një marrëveshje me trojkën evropiane, çka u pasua me një referendum që hodhi poshtë kushtet e trojkës dhe dorëheqjen e tij nga qeveria.



