Noteri Kongoli, një skemë grabitjeje/ Kara: Duhet veting urgjent për noterët dhe avokatët (VIDEO)

Noteri Kongoli, një skemë grabitjeje/ Kara: Duhet veting urgjent për noterët dhe avokatët (VIDEO)

Redaksia e MCN ka zbuluar një tjetër rast të dyshuar të parregullsive në studion noteriale, ku e fundit lidhet me noterin Gjergj Kongoli, i biri i Luljeta Kongolit, i cili ka trashëguar aktivitetin familjar. 

 

Bëhet fjalë për rastin e shtetases Naxhije Nika, e cila në tetor 2024, iu miratua një kredi e butë për strehim dhe i pagoi shuma të konsiderueshme parash një agjencie imobiliare dhe noterit Gjergj Kongoli për blerjen e një apartamenti në Tiranë. 

 

Kredia u refuzua nga banka, blerja dështoi dhe ajo nuk arriti të rimarrë të gjitha paratë, pasi noteri i ktheu vetëm një pjesë ndërsa pjesa tjetër mbeti pa shpjegim. 

 

Nisur nga ky rast në studion e ‘MCN Live’, avokati Romeo Kara vuri në dukje parregullsitë ligjore që lidhen me transaksionet noteriale.

 

Mendoj se shumat e dhëna atje për marrjen e asaj kredie dhe atij apartamenti nuk di që justifikohen nga shërbimi noterisë. Kjo punë ka nevojë të shikohet. Ajo që merr këtë shtëpi, për çfarë i ka dhënë paratë dhe çfarë i është premtuar? Nëse shuma 1.1 milion lekë nuk ka të bëjë me 20% që shkon në bankë kur merret kredia, dhe kur kalon përmes noterit ato rrinë për një kohë të caktuar në llogarinë e noterit… nëse noteri ka marrë 11 milion lekë të vjetra për shitjen e një apartamenti, kjo nuk qëndron ligjërisht.

 

Ai shtoi se është i domosdoshëm një vetting urgjent për noterët dhe avokatët, duke apeluar për reagim të menjëhershëm nga Ministria e Drejtësisë, Dhoma e Noterëve dhe Prokuroria e Tiranës.

 

Duhet të dimë se në të gjithë zinxhirin e pisllëkut që po përfshihemi, kemi nevojë realisht për një vetting si të noterëve dhe avokatëve. Noteri duhet të mos lejojë të kryhen transaksione të jashtëligjshme. Edhe unë jam viktimë e noterëve të papërgjegjshëm.

 

Rasti i Naxhije Nikajt: 

 

Në tetor të vitit 2024, Bashkia e Tiranës i miratoi shtetases Naxhije Nikaj një kredi të butë me 3% interes për strehim. Për të realizuar këtë, ajo u paraqit pranë Raiffeisen Bank për të marrë një kredi për blerjen e një shtëpie në vlerën 5,800,000 lekë të reja në zonën e "Freskut", Tiranë. Për gjetjen e apartamentit, ajo angazhoi agjencinë "Go Home Real Estate" të menaxhuar nga administratori Arlind Arapi. 

 

Kallëzuesja deklaron se i ka dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash në dorë për procedurat, konkretisht 118,000 lekë, 240,000 lekë dhe një mandat prej 65,000 lekësh. Ndërkohë, për të kryer blerjen e apartamentit dhe kalimin e pronësisë, Naxhije Nikaj i kaloi noterit Gjergj Kongoli shumën e madhe prej 1,100,000 lekësh të reja. Megjithatë, përpjekja e saj dështoi pasi Raiffeisen Bank e refuzoi dhënien e kredisë, duke e cilësuar atë si "jo të besueshme". 

 

Pas këtij momenti, Naxhija mbeti pa shtëpi dhe nuk i mori mbrapsht paratë e dhëna si kapare e pagesa noteriale, duke bërë që ajo të ndihej e mashtruar dhe të bënte kallëzim penal. Prokuroria e Tiranës e pushoi çështjen me argumentin se nuk ka vepër penale por është një "marrëdhënie e mirëfilltë juridiko-civile", duke e udhëzuar atë t'i drejtohet Gjykatës Civile.

 

Roli i noterit Gjergj Kongoli Noteri Gjergj Kongoli ishte personi i besuar ku Naxhije Nikaj derdhi shumën prej 1,100,000 lekësh të reja, para të cilat ishin destinuar për blerjen e apartamentit dhe kalimin e pronësisë në emrin e saj. Pasi banka nuk e dha kredinë dhe blerja dështoi, noteri nuk ia ktheu të gjitha paratë qytetares. Sipas deklarimeve në dosje, ai ka komunikuar me djalin e saj, Edison Toska, dhe i ka kthyer vetëm shumën prej 750,000 lekësh të reja. Për pjesën tjetër të parave që mungojnë, ai ka pretenduar se "nuk është në dijeni se cila është arsyeja që e ka mbajtur", duke mbajtur efektivisht qindra mijëra lekë pa dhënë një argument të vlefshëm ligjor apo faturë shërbimi.

 

Dëmi i krijuar ndaj Naxhije Nikajt Dëmi për Naxhije Nikajn është i dyfishtë: humbje e mundësisë së strehimit (djegia e kredisë së butë nga Bashkia) dhe një gropë e madhe financiare nga kursimet e saj. Konkretisht dëmi financiar përfshin:

 

350,000 lekë të reja të mbajtura në mënyrë të paqartë nga noteri Gjergj Kongoli (nga 1.1 milionë të dhëna, u kthyen vetëm 750 mijë). Paratë e mbajtura nga agjencia "Go Home Real Estate". Naxhija deklaron se i ka dhënë agjentit shuma që arrijnë në mbi 400,000 lekë gjithsej. Vetë administratori Arlind Arapi pranon para oficerëve se ka mbajtur 58,000 lekë të reja për vete si shpërblim për "angazhimin e tij 9 mujor", ndërsa një shumë prej 300,000 lekësh pretendon se ia ka dhënë kapar shitësit të shtëpisë, i cili jeton jashtë shtetit dhe nuk e kthen më.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy