Nga sot, për t’u ngjitur në malin Fuji në Japoni, ku ndodhet vullkani ikonik, një nga simbolet e vendit, por edhe një mal i shenjtë për japonezët, duhet të paguhet një biletë për të pasur kufizim të numrit të turistëve.
Shtegu Yoshida që të çon në malin Fuji do të jetë funksionale me një kufi ditor prej 4000 vizitorësh, të cilët do të filtrohen në hyrje, vizita të cilat duhet të rezervohen, por më pas pagesa duhet të bëhet në vend dhe vetëm me para në dorë.
Tarifa është 2000 jen ose 12.50 dollarë. Alpinistët do të marrin një rrip dore i cili lejon hyrjen në shteg midis orës 03:00 dhe 16:00.

Ata që kanë rezervuar shtëpizat afër malit Fuji do të mund të kalojnë jashtë atyre orëve dhe nuk do t’i nënshtrohen kufirit ditor të vizitorëve, thonë autoritetet.
Mali Fuji, 3776 metra i lartë, ka qenë gjithmonë i popullarizuar prej turistëve vendas dhe të huaj.
Por autoritetet lokale thonë se vala e fundit e turistëve që mbërrijnë në Japoni ka çuar në nivele të larta dëmtimi mjedisor dhe incidente të alpinistëve të papërgatitur që kanë nevojë për shpëtim, duke i shtyrë që të kufizojnë frekuentimin.



