Dermatologia Violeta Dajçi për tharjen e lëkurës gjatë dimrit, thotë se lëkura është organi më i madh i trupit të njeriut dhe reflekton çdo gjë që ndodh në trupin tonë, përfshirë dhe ndryshimin e stinëve.
Në emisionin “Zgjohu me MCN”, mjekja shtoi se me uljen e temperaturave fillon tharja e lëkurës, për shkak të largimit të ujit, tkurrjes së qelizave që nxjerrin ujin dhe elementët e tjerë që gjenden në sipërfaqen e lëkurës.
Sipas saj, ka gjithmonë raste ekstreme te personat që kanë tendencë të kenë lëkurë të thatë dhe kjo ndodh më shumë edhe në ekstremet e moshës, te moshat e vogla, kur nuk është maturuar i gjithë procesi fiziologjik natyror.
Hidratimi i lëkurës me kremra të thjeshtë që përmbajnë vazelinë dhe glicerinë, është mënyra më e mirë për të mbajtur lëkurën të butë, e ushqejnë shumë mirë dhe parandalojnë tharjen dhe patologjitë e lëkurës.
Do ishte mirë që këto kremra të merren në farmaci. Nuk do të rekomandoja shumë që në momentin që kanë filluar problemet të përdoren kremra që përmbajnë aromë.
Fytyra dhe duart janë pjesët më të ekspozuara. Te moshat e mëdha të cilat mund të mos kenë mundësi të blejnë krem specifik, mund të përdorin padiskutim edhe kremin e trupit.
Duart dhe këmbët duhen bërë me krem 2-3 herë në ditë. Ndërsa trupin minimumi një herë në javë.
Nuk ka asgjë të keqe edhe përdorimi i vajit të ullirit, çdo gjë që hidraton ndihmon. Mjafton që ti t’i vendosësh në fund të fundit një lloj yndyre lëkurës.
Këto janë masa parandaluese, por edhe trajtuese nëse ke probleme me lëkurën. Është shumë i rëndësishëm konsumimi i ujit dhe i frutave dhe zarzavateve.
Gjithmonë hidratimi i lëkurës fillon nga mënyra se si ushqehemi dhe mbrohemi.
Edhe veshjet ndikojnë shumë, pasi të pambuktat dhe të leshtat nuk e përçojnë të ftohtin që ndodhet jashtë të futet në lëkurën tonë.
Personat që kanë alergji ndaj rrobave të leshta kanë hiperalergji.
Gjatë periudhës së dimrit rekomandohet shumë mbajtja e dorezave pasi gjatë dimrit mund të formohen ekzema, madje edhe morth që mund të kthehen në plagë.



